Trump në Londër, Johnson: Kemi ftuar edhe më të këqinj se ai

31/01/2017 00:00

Kemi ftuar njerëz edhe më të këqinj së Trumpi. Me këtë argument u përpoq ta justifikonte Sekretari i Jashtëm britanik Boris Johnson vizitën e Donald Trumpit në Britani, të kundërshtuar nga një pjesë e madhe e qytetarëve atje siç u pa qartë dhe nga peticioni online me 1,3 milionë firma.

Downing Street sqaroi të hënën se kryeministrja Theresa May e bëri ftesën në emër të Mbretëreshës dhe se është e kënaqur me një gjest të tillë. Shefi i diplomacisë britanike kujtoi se nderin për t’u takuar me monarken e kanë pasur deri dhe diktatore si Nikolae Caushesku apo Robert Mugabe i Zimbabves.

Në fjalën e mbajtur para Dhomës së Komunëve, Johnson u shpreh se nuk është mirë të demonizohet presidenti amerikan edhe pse as ai vetë, ashtu si e gjithë qeveria britanike, nuk pajtohet me politikën tejet kontroverse që i ndalon hyrjen SHBA qytetarëve nga shtatë vende muslimane.

Në rruget e Londrës ndërkohë, njerëzit kanë dalë në protesta kundër dekretit të Trumpit mbi emigracionin.

Irani, Iraku, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni janë sipas Trumpit të njëjtat shtete të identifikuara nga administrata Obama si burim terrorizmi. Por sa individë prej tyre janë të lidhur me sulmet terroriste në Europë që prej 11 shtatorit 2001? Nga Siria janë tre ose katër, duke përfshirë njerin prej atenatorëve të Parisit Ahmad al-Mohammad që besohet të ketë qenë sirian, njërin nga kamikazët në Stade de France dhe Mohammad Daleel që hodhi veten në erë korrikun e 2016-tës në Ansbach të Gjermanisë, ku plagosi 15 vetë.

Nga Irani nuk ka njeri, vetëm nëse llogaritet kamikazi që vrau 6 turistë izraelitë në Burgas të Bullgarisë në 2012-tën, i cili kishte lidhje me Hezbollahun.

Për Libine, numri është 0. Dy janë sulmet terroriste që përfshijnë shtetas irakiane, 0 Somalia, 0 Sudani, 0 Jemeni. Pjesa më e madhe e goditjeve të kësaj natyre në kontinentin e vjeter, sidomos në Francë dhe Belgjikë, kanë ardhur nga terroristë të brendshëm.

Top Channel