De Sciglio dhe Bonaventura shqetësojnë Milanin

31/01/2017 00:00

Lajme aspak pozitive nga infermieria e Milanit për Giacomo Bonaventurën dhe Mattia de Sciglion, të dy të dëmtuar në transfertën me Udinezen, që kuqezinjtë e humbën 2-1.

Lojtarët në fjalë mund të qëndrojnë për një kohë të gjatë jashtë fushave të blerta, çka përbën një shqetësim shumë serioz për stafin teknik kuqezi.

Mbrojtësi anësor pati një përdredhje të kaviljes pas përplasjes me De Paul, ndërsa mesfushori shqetësime në muskujt e kofshës.

Të dy lojtarët u janë nënshtruar ekzaminimeve mjekësore, por  më shumë në kampin kuqezi shqetëson gjendja e De Sciglios, i cili u shfaq në klinike me paterica dhe me një protezë në këmbën e djathtë. Përgjigjet e analizave paraprake mund të mos mjaftojnë, sepse do të shihet nëse hematomat do të përthithen në kohë.

Një gjë është e sigurt De Sciglio dhe Bonaventura nuk do të jenë në dispozicion të stafit teknik për ndeshjen me Sampdorian që do të zhvillohet të dielën në orën 12:30, por ekziston mundësia që të mungojnë për një kohë më të gjatë.

Top Channel