Luan Rama: Kryeministri kërkoi dorëheqjen e Manjanit. S’po sulmojmë Tahirin

30/01/2017 00:00

Java nisi me një zhvillim të vrullshëm politik, që pasoi ndryshimin e tretë në Qeveri nga ana e LSI-së. Ai që u largua ishte një nga zërat më të fortë dhe më kritikë brenda qeverisë për një periudhë të gjatë, kritikë që e shfaqi edhe në Top Story dy javë më parë.

E po në Top Story, dy javë më vonë dhe me Manjanin të shkarkuar nga Kryeministri Rama, në studio ishte Luan Rama edhe me cilësinë e kreut të Grupit Parlamentar të LSI-së pas largimit të Petrit Vasilit në Qeveri.

A ishin kritikat e Manjanit mendime personale të tij, apo ato pasqyrojnë klimën e koalicionit? Kësaj pyetjeje Luan Rama i dha një (gjysmë)përgjigjje.

“Unë nuk e shoh bardhezi këtë. Nuk e shoh as si akt personal të zotit Manjani dhe as si krizë të koalicionit. Është e vërtetë që në marrëdhëniet mes Kryeministrit dhe ministrit ka patur një mori problemesh. Diçka nuk ka funksionuar siç duket”, tha ai.

Luan Rama tha se e gjithë përplasja mes Manjanit dhe Kryeministrit mund të ishte menaxhuar më mirë. Ai shtoi se ishte në dijeni të një kërkese për dorëheqje ndaj ish-ministrit të Drejtësisë.

“I është kërkuar dorëheqja prej Kryeministrit. Nuk e di të ketë një kërkesë të tillë nga zoti Meta. Ai nuk e ka dhënë këtë dorëheqje sepse nuk e ka parë të arsyeshme për ta bërë këtë”, u shpreh Rama.

Kreu i grupit parlamentar të LSI-së tha se nuk ka sulme ndaj Saimir Tahirit.

“Nuk ka asnjë sulm kundër Saimir Tahirit. Nuk ka asnjë sulm ndaj Ministrisë së Brendshme dhe ndaj Policisë së Shtetit. Ka raste, kur deputetë dhe funksionarë, ministër si Lefter Koka kanë denoncuar në publik një sjellje të caktuar nga segmente të caktuar të Policisë së Shtetit dhe njësitë e qeverisjes vendore”, u shpreh ai. 

Top Channel