Basha: Kjo qeveri s’ka raporte të mira me SHBA

29/01/2017 00:00

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka ardhur nga Uashingtoni, Brukseli e Berlini me lajme jo të mira për shqiptarët. Sipas Bashës, marrëdhëniet me Amerikën janë të pamundura me këtë qeveri dhe këtë kryeministër ndërkohë që procesi i integrimit në BE ka ngrirë.

Basha tha se ndërkombëtarët e kanë kuptuar korrupsionin që mbizotëron në Shqipëri dhe nuk manipulohen më.

“Për Shqipërinë nuk ka interes dhe nuk ka mbështetje politike. Marrëdhëniet tona me Amerikën janë të pamundura me këtë qeveri dhe këtë kryeministër aventurier e të papërgjegjshëm. Procesi i integrimit europian ka ndalur dhe perspektiva e integrimit është e paqartë”, u shpreh Basha.

Duke paralelizuar me ndryshimet politike në Amerikë, Basha tha se lajmi i mirë për shqiptarët është ndryshimi i madh që po vjen.

Për Partinë Demokratike duket se fushata tashmë ka nisur. Basha bëri thirrje që secili simpatizant e anëtar të propozojë kandidatin e tij për deputet, proces i cili, siç tha Basha do të kalojë në një veting të brendshëm.

“Tani ka vetëm një rrugë, vetëm një zgjidhje. Zgjedhje të lira dhe të ndershme e ndryshim themelor të kursit të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Partia Demokratike në mënyrë vullnetare do të kryejë kontrollin e përfaqësuesve të saj në politikë. Me këtë proces ne do të garantojmë se deputetët demokratë nuk do të jenë të lidhur me krimin, nuk do të jenë të korruptuar, pa integritet”, theksoi Basha.

Basha përfitoi nga ky takim në Elbasan, me rastin e 26 vjetorit të krijimit të degës, për të bërë një paralajmërim për të gjithë ambiciozët.

Top Channel