Në kërkim të “Escobarit”, shoqërohen të afërmit e Balilit në Delvinë

28/01/2017 00:00

“Balili e Balilëra mund t’i kenë ende ditët e numëruara, por shumë shpejt do të jenë para drejtësisë”, ka thënë një ditë më parë ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.

Kjo deklaratë e ministrit Tahiri në analizën e Policisë së Shtetit është pasuar me veprime konkrete në terren nga forcat e policisë.

Në orët e para të mëngjesit të së shtunës, RENEA dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, kontrolluan 10 banesa dhe 3 hotele në Sarandë e Delvinë,  si dhe shoqëruan 11 persona të afërm të ‘Eskobarit të Ballkanit’. Kontrollet janë ushtruar në bazë të urdhrave të ekzekutimit lëshuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda ndërsa mes të shoqëruarve të cilët janë marrë në pyetje në mjediset e drejtorisë së policisë së Gjirokatrës është edhe djali i Balilit.

Operacioni për kapjen e tij, po drejtohet nga zvdrejtori i përgjithshëm i policisë për krimet e rënda, Ardian Çipa. Sipas burimeve nga uniformat blu asnjë i afërm i Balilit nuk ka pranuar të bashkëpunojë apo të japë informacione të vlefshme për kapjen e tij.

Top Channel ishte në banesën e Balilit në Stjar të Delvinës ku të afërmit e tij akuzojnë policinë për terror.

“E morrën djalin me forcë sa ma prunë këtu te rruga. Atëherë unë po bërtisja, jam zënë me policat”, rrëfen Manushaqe Balili, kunata e Klement Balilit.

“Dhe Gestapo gjermane në atë kohë nuk sillej në këtë mënyrë”, thotë Avni Veizi, vjehrri i Klement Balilit.

Por kur do të dorëzohet Klement Balili, sipas bashkëshortes së tij. “Bashkëshorti im nuk dorëzohet dot në këtë moment, sepse në Shqipëri nuk ka drejtësi. Në momentin që vendoset ligji i vettingut,sepse dyshohet se prokuroria jonë dhe gjykatat tona janë të korruptuara në duart e kujt do të dorëzohet burri im?”, thotë Alma Balili.

Informacionet e siguruara nga policia në rrugë operative flasin se Balili ndodhet brenda territorit shqiptar, megjithatë nuk përjashtohet mundësia që ai të jetë larguar përmes kufirit të gjelbër.

Top Channel