Arti dhe dizajni i filmit shqiptar, pas prezantimit përmes një ekspozite unike çelur në Galerinë Kombëtare të Arteve në prill të vitit 2016, vjen i përmbledhur në një katalog, botuar me nismën e GKA-së, Thomas Logorecit dhe Ministrisë së Kulturës.

Janë më shumë se 100 afishe të përzgjedhura nga koleksioni i pasur i Arkivës së Filmit, që dokumentojnë kujtesën kolektive të kohës, kur njoftimi për një film të ri në kinema bëhej përmes posterave.

“Nuk punonin piktorët me kompjuter apo me programe të caktuara, që të nxirrnin imazhin e një filmi ose thelbin e një pllakate. Gjithçka bëhej me dorë. Një gjeneratë piktorësh që ishin të harruar”, tha Artan Shabani, drejtor i GKA-së.

“Dora e ngrohtë”, apo “Koncert në vitin ’36” mbushnin sallat e kinemave, jo vetëm sepse ishte një nga mundësitë e pakta të argëtimit, por edhe sepse në to të rinjtë shihnin ndikimin perëndimor.

“Unë mbetem i mrekulluar, sepse disa prej tyre më kujtojnë shkollën franceze, italiane. Të bëjnë të hulumtosh përtej territorit të Shqipërisë”, tha më tej Shabani.

Duket e habitshme sesi filmi shqiptar i viteve të komunizmit konkurron në shikueshmëri edhe prodhimet e “Hollywood”-it.

“’Ngadhënjim mbi vdekjen’ është filmi më i vizituar ndoshta në botë, përtej ‘Titanikut’, sepse ky film është prezantuar në Kinë. Filmi shqiptar në ato vite në Kinë ka qenë një referencë e jashtëzakonshme”, shprehet Shabani.

Top Channel