Francë, Fillon: Tërhiqem nga gara presidenciale, nëse hetohem

27/01/2017 00:00

Konsiderohet si kandidati favorit në zgjedhjet presidenciale franceze, por François Fillon shprehet i gatshëm për të hequr dorë nga gara, nëse do të hetohet për shkelje.

Konservatori u vu në qendër të një furtune mediatike lidhur me pretendimet se, për vite me radhë, bashkëshortja e tij ishte paguar për një punë fiktive në Parlament. I ftuar në edicionin informativ të televizionit “TF1”, Fillon këmbënguli se nuk kishte asgjë të papërshtatshme apo të paligjshme lidhur me punësimin e gruas së tij.

Edhe pse u tregua i gatshëm për të ofruar prova, refuzoi të vihej në shënjestër të një hetimi nga mediet. E përditshmja satirike “Le Canard Enchaine” shkroi të mërkurën se Penelope Fillon kishte fituar rreth 500 mijë euro si asistente e bashkëshortit në Parlament, por se nuk kishte prova që ajo kishte punuar atje.

Po sipas medias, gruaja ishte paguar me 100 mijë euro të tjera për një punë të lehtë që i ishte ofruar nga një mik miliarder i bashkëshortit të saj. Pretendimet shtynë prokurorët e çështjeve financiare të nisnin një hetim paraprak, gjithsesi Fillon dhe gruaja e tij do të vihen në shënjestër të një hetimi zyrtar kriminal, nëse do të zbulohet se pretendimet janë të bazuara.

Gjatë intervistës për “TF1”, Fillon bëri të ditur qëllimin për të ngritur një padi kundër “Le Canard Enchaine”, duke shprehur neverinë e tij për rastin.

“Nuk gjej fjalët për të shprehur neverinë lidhur me këto pretendime. Kam qenë në politikë për 30 vite, i di mirë rregullat dhe pas kandidimit për zgjedhjet presidenciale isha i përgatitur për çdo lloj akuze. Por nuk prisja kurrë se do të sulmohej gruaja ime për të arritur tek unë”, tha ai.

Ai hodhi dyshime mbi momentin e publikimit të pretendimeve, në prag të zgjedhjeve presidenciale. “Vetëm një gjë do të më pengonte të kandidoja; cënimi i nderit tim nëse do të vihesha në qendër të një hetimi zyrtar”, ishin fjalët e Fillon. Analistët mendojnë se çështja rrezikon të dëmtojë rëndë kandidatin, i cili e ka prezantuar vetes si të ndershëm dhe si të paqortueshëm moralisht.

Top Channel