Basha, takim me përfaqësues të CDU: Mesazhi për zgjedhjet, i qartë

27/01/2017 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar këtë të premte një takim me Hans-Gert Pöttering, eksponent i rëndësishëm i CDU-së së kancelares gjermane Angela Merkel dhe ish-president i Parlamentit Europian.

“I shpreha presidentit Pötering mirënjohjen e sinqertë për mbështetjen e jashtëzakonshme për Partinë Demokratike, veçanërisht në mundësimin e ekspertizës gjermane për hartimin e politikave publike të qeverisjes sonë të ardhshme dhe përgatitjen e politikanëve të rinj të PD-së”, thotë Basha në profilin e tij në Facebook.

Basha deklaron se, interlokutori i tij e siguroi për vazhdimin e kësaj mbështetjeje, si pjesë e rëndësishme e bashkëpunimit të ngushtë midis PD dhe CDU-së.

“Diskutova me presidentin Pöttering për çështjet kryesore politike që po kalon vendi, si dhe sfidat që duhet të kapërcejmë. Me përvojën e gjatë politike dhe me njohuritë e jashtëzakonshme të politikës gjermane dhe europiane, ai më këshilloi për rreziqet që e presin Shqipërinë nëse nuk mban dot zgjedhje të lira dhe nuk e pastron politikën nga kapja prej krimit dhe interesave korruptive”, vijon Basha.

Ai vijon se, presidenti Pöttering u shpreh se, thelbi i demokracisë europiane janë zgjedhjet e lira dhe llogaridhënia e politikës. “Politika e lidhur me krimin dhe e zhytur në korrupsion janë të papajtueshme me vlerat europiane”, shton Basha.

Top Channel