Meta pret krerët e Vetëvendosjes, diskutohet situata në rajon

25/01/2017 00:00

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta zhvilloi këtë të mërkurë një takim me kryetarin e lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri dhe deputetin e kësaj partie, Albin Kurti.

Gjatë takimit u diskutua mbi zhvillimet e fundit në Kosovë e rajon. Bashkëbiseduesit e vunë theksin tek rëndësia e intensifikimit të bashkëpunimit ndërqeveritar e ndërparlamentar mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Nga ana e tij, Meta shprehu shqetësimin për rritjen e tensioneve gjatë kohëve të fundit në Kosovë, të cilat në këndvështrimin e tij arritën kulmin me incidentin provokues të trenit serb, ndalimin e Ramush Haradinaj në Francë dhe me ndërtimin e murit ndarës në Mitrovicë.

Sikurse njofton zyra e Kuvendit, në këtë aspekt Meta i kushtoi rëndësi frymës së bashkëpunimit dhe dialogut konstruktiv mes të gjitha palëve, për të prodhuar zgjidhje afatgjata që i shërbejnë stabilitetit të qëndrueshëm, paqes e sigurisë në Kosovë e rajon.

Top Channel