François Fillon, në telashe nga gruaja e paguar fiktivisht

25/01/2017 00:00

Favoriti më i qartë deri tani për presidencën franceze, konservatori François Fillon gjendet përballë telashesh të papritura, pas publikimit të një raporti në media, sipas të cilit bashkëshortja e vet, që ka punuar për të në kohën kur ishte ligjvënës, është paguar në mënyrë fiktive.

62-vjeçari e pranon faktin që ka punuar me të shoqen, por akuzat e tjera i hedh poshtë. Ligjet në fuqi nuk ua ndalojnë parlamentarëve francezë punësimin e një të afërmi në zyrat e tyre. Por Le Canard Enchaine thotë se, si asistente e të shoqit, Penelope Fillon e lindur në Uells të Anglisë, ka tërhequr përgjatë 8 vitesh rreth 500 mijë euro, ndërkohë që nuk rezulton të ketë bërë ndonjë punë.

E përjavshmja satirike ka hedhur dritë mbi një sërë skandalesh në vend përgjatë dekadash të tëra, ndaj raportimet e saj nuk konsiderohen edhe aq pa peshë. Ish-presidenti i Asamblesë Kombëtare franceze, Bernard Accoyer ka nxituar t’i dalë Fillonit në mbrojtje.

“François Fillon ka punuar gjithmonë me njerëzit e tij të afërt dhe i kam parë shpesh me Penelopën të punonin bashkë. Por ne jemi në fushatë presidenciale tani, e sigurisht që çdo rast është i tillë për të shkaktuar polemika. Është normale që të shënjestrohen kandidatët nëpërmjet familjarëve të tyre, është tipike e periudhës parazgjedhore”, tha Bernard Accoyer, ish-president i Asamblesë Kombëtare.

Fillon, një politikan veteran, i cili ka mbajtur disa poste qeveritare përpara se të bëhej kryeministër në kohën e presidencës së Nicolas Sarkozy, gëzon reputacionin e një “xhentëllmeni” dhe një njeriu shumë familjar.

Top Channel