Ringjallja sociale e “Piramidës”

19/01/2017 00:00

“Na ishte një herë në të ardhmen” është slogani, me të cilin synohet ringjallja sociale dhe artistike e një prej ndërtesave më të njohura të të gjithë Shqipërisë, Piramidës në Tiranë.

Ndërtesa tashmë është në patronazhin e Bashkisë së kryeqytetit, e këtë të premte do të presë shfaqjen e parë artistike pas shumë kohësh. Organizatorët premtojnë surpriza për ata që kanë dëshirë të argëtohen disi ndryshe nga herët e tjera në kryeqytet: si dikur, por në të tashmen, brenda ndërtesës së krijuar për të qenë muzeu i diktatorit.

Por çfarë do të ndodhë këtë të premte te Piramida?

“Të mundohemi të bëjmë një festë që të rikthejmë edhe një herë një ide pozitive, që ky është një vend ku duhet të ofrohet kulturë, ku duhet të ofrohen festa, ku nuk duhet të mungojë skenografia, s’duhet të mungojë instalacioni në një sallë kaq të madhe, që mund të ndryshojë destinacionin herë pas here me tematika të caktuara. Pretenduam ta nisim me diçka që do të jetë shumë komode për njerëzit për arsyen se është shumë e ftohtë, ishte shumë e amortizuar. Të kujtojmë dhe të shohim sesi mund të jetë një vizion përtej së ardhmes”, tha Florian Cara, organizator.

Do të jetë një festë që synon të sjellë një argëtim nën tingujt e muzikës, jo si zakonisht në Tiranë.

“Duam që njerëzit të mos vijnë dhe thjesht të kërcejnë apo pijnë dhe kaq. Duam ta ndryshojmë pak këtë konceptin e të festuarit, sepse në radhë të parë duam të bëjmë bashkë disa breza, brezin e vjetër dhe brezin e ri. Dhe të mos jetë koncepti i diskotekës, që të shkojmë të pijmë, të kërcejmë dhe kaq. Edhe bandat që do të performojnë drejtpërdrejt, por edhe DJ kemi menduar që të jenë pak më ndryshe në performancat e tyre”, tha Indrit Topi, organizator.

Fundjava në Tiranë mund të ketë disa stacione argëtimi, ndërsa këtë të premte i shtohet edhe një i ri, Piramida, ajo e 2017-s.

Top Channel