Ndriçohet segmenti te mbikalimi i Kamzës, Veliaj: Dhe urbanizim të zonës

19/01/2017 00:00

Segmenti rrugor nga mbikalimii Kamzës tek kufijtë administrativë të bashkisë së Kamzës do të kenë një ndriçim të ri, barriera anësore metalike duke mundësuar më shumë siguri për makinat dhe këmbësorët, si një nga rrugët hyrëse të Tiranës që lidh veriun e Shqipërisë me kryeqytetin.

Për kreun e bashkisë Erion Veliaj një tjetër hyrje e qytetit do të marrë pamje dinjitoze. “Jam shumë entuziast sepse po fillojmë një projekt të ri, është hyrja veriore e Tiranës. Siç e keni parë, disa hyrje të Tiranës janë stabilizuar, hyrja nga rruga “Dritan Hoxha” dhe hyrja nga rruga e Elbasanit është sot në një situatë shumë më të mirë dhe ka shumë estetikë, ka shumë më pastërti, sinjalistikë dhe ndriçim në këto dy hyrje. Për këtë vit kemi planifikuar dy hyrje të tjera, hyrja nga Kamza dhe hyrja nga Kombinati. Sot fillojmë punën e hyrjes nga veriu, që është hyrja nga Kamza, besoj që jo vetëm është një hyrje dinjitoze për Tiranën, por është ndoshta kontrasti më i madh sesi menaxhohet Tirana dhe si menaxhohet Kamza”, tha Veliaj.

Por veç këtyre, zona do të ketë edhe urbanizim tha Veliaj, do të jenë 115 shtylla, 210 ndriçues, 3 km urbanizim me sinjalistike, me kanale të ujërave të zeza dhe infrastrukturën e nevojshme për këmbësorët.

“Do të kthejmë disa ishuj si ky ku jemi, në mini-parqe të vogla për komunitetin, për të moshuarit që duan të pushojnë apo fëmijët që duan të luajnë dhe unë besoj që deri në 18 qershor, por dhe përtej, do tregojmë siç kemi treguar këtë vit, që vetëm puna dhe jo fjalët janë ato që na çojnë përpara. Ndaj, i them të gjithë kolegëve forca, me shumë energji të reja për të bërë Tiranën e ëndrrave tona çdo ditë nga pak”, shtoi Veliaj.

Kryetari i Bashkisë theksoi se ky projekt tregon edhe një herë se për Bashkinë e Tiranës nuk ka dallim në investimet që bën nëse një zonë apo njësi është e djathtë apo e majtë.

Top Channel