NATO, Stoltenberg: Në 2016, 500 sulme kibernetike në muaj

19/01/2017 00:00

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka deklaruar se, gjatë vitit 2016 u regjistruan 500 sulme kibernetike në muaj ndaj strukturave të Aleancës, duke shënuar një rritje prej 60 për qind krahasuar me një vit më parë.

Në një intervistë për gjermanen “Die Welt”, Stoltenberg ka thënë se, shumica e këtyre sulmeve të kryera ndaj rrjetit të të dhënave të Aleancës kanë qenë të sponsorizuar nga institucione shtetërore.

“Jam jashtëzakonisht i shqetësuar për këto zhvillime. Mbrojtja kibernetike do të jetë një temë e rëndësishme në samitin e ardhshëm të NATO-s. Do të na duhet të avancojmë përpjekjet tona në këtë drejtim”, ka thënë Stoltenberg.

Sekretari i përgjithshëm ka paralajmëruar se, sulmet informatike mund të jenë tej mase të rrezikshme nëse cënojnë rrjetet e energjisë, impiantet e shëndetësisë dhe infrastruktura të tjera me rëndësi kritike.

“Ato gjithashtu mund të dëmtojnë kapacitetet mbrojtëse të NATO-s dhe punën e forcave të armatosura. Të gjitha aktivitetet ushtarake sot bazohen në shkëmbimin e të dhënave, kështu që nëse kjo infrastrukturë dëmtohet mund të shkaktojë pasoja serioze”, ka vijuar Stoltenberg.

Ish-kryeministri norvegjez e ka vënë gjithashtu theksin tek mundësia që hakerat të manipulojnë të dhënat gjatë periudhave elektorale.

Ai ka shtuar se, shtete të ndryshme anëtare të Aleancës kanë shprehur shqetësimin se, hakerat mund të përpiqen të ndërhyjnë në fushatat elektorale, “duke minuar kështu demokracinë”.

Top Channel