Lirimi i Manning, republikanët kritikojnë Obama-n

18/01/2017 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama i kritikua ashpër nga krerët e Partisë Republikane për uljen e ndjeshme të dënimit të Chelsea Manning, e cila i dha dokumente sekrete Wikileaks në vitin 2010.

Ushtari 29-vjeçari transgjinor i lindur me emrin Bradley Manning, u dënua me 35 vjet burg. Por Obama vendosi t’i ulë dënimin dhe ajo do të lirohet më 17 maj të këtij viti dhe jo në 2045. Pas vendimit të Obama-s, senatori republikan John McCain tha se ky ishte një gabim i madh.

“Është  e trishtë, por një tregues i përshtatshëm për dështimin e Obama-s në politikat e sigurisë kombëtare. Ai fali një person që rrezikoi jetët e trupave, diplomatëve dhe burimeve amerikane të inteligjencës”, deklaroi McCain.

Në të njëjtin kuadër, kreu republikan i Dhomës së Ulët të Kongresit, Paul Ryan tha se lirimi tejet i parakohshëm i Manning vendos një precedent të rrezikshëm.

Sipas tij, tashmë krijohet përshtypja se ata që kompromentojnë sigurinë kombëtare amerikane nuk do të pësojnë asgjë. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest ju përgjigj kritikave duke thënë se koha që Manning kaloi në burg, thuajse 7 vjet, ishte një ndëshkim i përshtatshëm për krimin që ajo kreu.

Top Channel