Akuzat e PD, Bashkia publikon axhendën e Veliajt

18/01/2017 00:00

Publikimi i biletës së udhëtimit drejt Milanos nga kryebashkiaku Erion Veliaj, nuk zbehu akuzat e opozitës në drejtim të tij. E për këtë, Bashkia shpërndau një reagim ky mohon akuzat e Partisë Demokratike dhe publikon gjithë axhendën e kryebashkiakut për ditën e hënë.

“Ditë pas dite, në sytë e opinionit publik Partia Demokratike po faktohet si një parti, e cila po lundron në kufijtë e qesharakes. Në përgjigje të Partisë Demokratike, po e ripërsërisim se ditën e hënë, datë 16 Janar 2017, kryetari i Bashkisë së Tiranës ka qenë në krye të detyrës dhe nuk ka udhëtuar në asnjë moment jashtë Tiranës, e jo më drejt Parisit”, thuhet në reagim.

Bashkia thotë se kjo provohet shumë lehtë.

“Veliaj ka pasur dy aktivitete publike atë ditë, vizitën në shkollën “4 Dëshmorët”, si dhe mori pjesë në konferencën “Ngritja e kapaciteteve të Shërbimit Social Shtetëror në kuadër të sistemit të ri të shërbimeve”, organizuar nga Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi. Gjithashtu, ditën e hënë, z.Veliaj ka pasur edhe dy takime të rëndësishme me dy Ambasadorë të akredituar në Tiranë: Ambasadorin e OSBE-së, z. Bernd Borschardt dhe ambasadorin e Austrisë, z. Johan Sattler”, thuhet më tej në reagim.

Bashkia sfidon Partinë Demokratike që të provojë të kundërtën.

“Na vjen keq që një parti, e cila kërkon të qeverisë vendin nesër, sot është përpjekur dy herë të mashtrojë opinionin publik. Kjo luftë qesharake me Bashkinë e Tiranës për punë që ndodhin çdo ditë e që i prekin të gjithë, vetëm sa tregon sa poshtë ka rënë Partia Demokratike në prag të humbjes së saj spektakolare në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë”, vijon deklarata, e cila ka të bashkëngjitur axhendën e kryebashkiakut ditën e hënë.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel