Turqi, Erdogan gjithnjë e më pranë autoritarizmit pas ndryshimit të Kushtetutës

16/01/2017 00:00

Parlamenti turk i dha miratimin paraprak Kushtetutës së re, që do të forcojë pozitat e presidentit Recep Tayyp Erdogan. Nëse do të aprovohet edhe në raundin e dytë të votimit, më vonë gjatë javës, do të pasohet nga një referendum.

Kritikët ngrenë shqetësimet për mbërthimin e pushtetit nga Erdogan, por ky i fundit pretendon se sistemi i ndryshuar do t’i ngjasojë atyre në Francë dhe SHBA. Kushtetuta e re lejon presidentin të emërojë e shkarkojë ministra dhe do të heqë postin e kryministrit për të parën herë në historinë turke.

Në vend të tij do të ketë të paktën një zëvendëspresident. Nenet e fundit të projektligjit u miratuan në orët e vona të së dielës, me AKP-në në pushtet që fitoi 3/5-tat e shumicës së nevojshme.

Debatet për Kushtetutën kanë qenë të nxehta dhe një përleshje shpërtheu javën e kaluar në Parlament, pasi një deputet tentoi të xhironte një sesion votimi gjatë debatit. CHP-ja, partia më e madhe opozitare, kundërshton ndryshimet, ndërsa HDP-ja prokurde bojkotoi votimin.

Disa deputetë të saj janë burgosur me akuzën e mbështetjes së militantëve kurdë. Për të siguruar votat e nevojshme, AKP-ja e Erdoganit është mbështur nga partia e katërt në vend, ajo për lëvizjen nacionaliste.

Gjendja e jashtëzakonshme ka qenë në fuqi në Turqi që prej grushtit të dështuar të shtetit në korrik të vitit të kaluar. Ajo u zgjat pas një serie sulmesh në vend, përfshirë masakrën në një klub nate në Stamboll gjatë ndërrimit të viteve.

Top Channel