Moti i keq, Rama: Na gjeti të papërgatitur, por ia dolëm

15/01/2017 00:00

Në komunikimin javor përmes rrjeteve sociale, kryeministri Edi Rama ka folur për situatën e krijuar në vend si pasojë e motit të keq.

Kryeministri Rama i kushtoi komunikimin e tij javor, situatës së vështirë për shkak të motit.

Falënderimin publik për ata që qëndruan në krye të detyrës e nisi me punonjësit e OSHEE së, Policinë e Shtetit, Forcat e Ushtrisë dhe strukturat e transporteve si dhe pushtetin lokal.

“Fatkeqësisht janë regjistruar edhe jetë njerëzish të humbura. Dua ti falenderoj bashkitë, në radhë të parë Bashkinë e Tiranës për masat e marra në emergjencë për strehimin dhe ushqimin e endacakëve pasi siç shkuan temperaturat mund të kishte më shumë humbje jetë njerëzish. Me siguri mësimet e këtij viti do ndihmojnë bashkitë në një përgatitje shumë më të plotë për mbrojtjen e njerëzve në rrugë apo personave të vetmuar”, u shpreh Rama.

Kurse nxënësve që rifillojnë mësimin të hënën, kryeministri u bëri këtë premtim.

 “Ata që do të fillojnë shkollën në shkolla akoma të parindërtuara i siguroj se nuk i kemi harruar, shumë shpejt puna do të nisë për rindërtimin e tyre”, tha Rama.

Shtabi Qendror i Emergjencës do të vazhdojë punën edhe gjatë këtyre ditëve, kur janë parashikuar sërish ditë të ftohta.

Top Channel