Moti i keq, OSHEE riparon fiderat e dëmtuar

14/01/2017 00:00

Moti i keq gjatë natës mes 13 dhe 14 janarit ka shkaktuar avari të shumta në rrjetin elektrik në gjithë vendin. OSHEE njofton se si pasojë e tij, janë stakuar 50 fidra në gjithë vendin.

Me kalimin e kohës dhe me masat e marra, thotë OSHEE, deri në orën 15:30 minuta rezultojnë vetëm 6 fidra jashtë pune, duke reduktuar defektet në masën 80 përqind në vetëm shtatë orë.

OSHEE njofton se energjia është rikthyer në disa zona rurale të Tiranës, në Otllak të Beratit, pjesërisht në Kuçovë, në Koman, Dajç dhe pjesërisht në Dobrac, Kaçinar, Rrapë dhe Pukë.

Energjia është rikthyer edhe në Gjirokastër e Zagori, si dhe në Gjergjan e Tregan në Elbasan, gjithashtu në Fermë e Ngjeqar në Fier. Nga avaritë u prekën edhe rajone në Kukës, e Burrel, ku në pjesën më të madhe të tyre është rikthyer furnizimi i rregullt me të.

OSHEE thotë se grupet e punës ndodhen në terren dhe po punohet për riparimin e defekteve, ndërkohë që shton se institucionet e rëndësisë së veçantë dhe hidrovoret në zonat që rrezikohen nga përmbytjet furnizohen me energji elektrike pa problem.

Top Channel