Koalicioni teston veten, Rama takon Metën

13/01/2017 00:00

Kanabisi tashmë është zyrtarisht një motiv më shumë në përplasjen mes PS dhe LSI.

“Dje kjo çështje është diskutuar për herë të dytë apo të tretë. Ka një urdhër të kryeministrit, po hartohet një strategji për goditjen e kultivimit të hashashit dhe të parandalimit të këtij fenomeni. Dje kemi diskutuar njëçikë më shumë dhe me pak ton”, tha Manjani në emisionin “Top Story”.

Shpërthimi i ministrit të Drejtësisë të enjten në mbrëmje në Top Channel pati të premten reagimin e ministrit socialist më pak i pëlqyer në LSI.

“Unë nuk kam dëshirë të komentoj komentet dhe aq më pak kur komentet janë nga një koleg tjetër i imi i cili, si unë, ka detyrë të bëjë sa më mirë detyrën. Punën tonë e vlerëson kryeministri dhe mbi të gjitha e gjykon publiku dhe qytetarët”, reagoi Tahiri.

Gjuha e dy ministrave tregon klimën në koalicion, e cila ka nisur t’i ngjajë stinës. Socialistët thonë se i kanë bërë ftesë LSI, por s’kanë marrë përgjigje. Por…

“Ku është ftesa? Ne kemi marrë vetëm një ftesë për dasëm deri tani. Zgjedhjet e 2013-s i ka fituar koalicioni i së majtës së bashkuar, i kemi fituar me Ben Blushin dhe jo me Shpëtim Idrizin”, tha Manjani.

Manjani konfirmoi një ngjarje të korrikut të vitit të kaluar që lidhet me momentin para votimit të reformës në drejtësi. Ai tha se nëse Rama do kishte mbledhur vota të ashtuquajtura “patriotike” nga e djathta, qeveria do ishte rrëzuar.

Në këtë klimë, pas një periudhe të gjatë kohe, të premten janë takuar dy bashkëkryetarët e koalicionit të mazhorancës, takim që zakonisht ndodh të mërkurave.

Kryeministri Rama paraditen e kësaj të premteje shkoi në Kryesinë e Kuvendit, ku për koinçidencë kreu i LSI shkoi me vonesë në takimin që do të bëhej në zyrën e tij.

Tema e diskutimit në këtë takim kokë më kokë nuk është bërë e ditur zyrtarisht, por gjithçka ndodhi pak orë pas dallgës politike që lëshoi intervista e ministrit Manjani në Top Channel.

Dallgë e cila mesa duket do të pasohet nga të tjera. Dimri politik duket se ndryshe nga ai natyror, në këtë vit elektroal do të përfundojë vetëm në prill.

Top Channel