Ngricat dëmtojnë bujqësinë, Panariti: Dëme të vogla

12/01/2017 00:00

Kudret Goga nga fshati Plykë i Fierit është një nga fermerët e dëmtuar, si pasojë e ngricave të këtyre ditëve.

“100 përqind e serrës. 5 dynym janë dëmtuar komplet, gati 40 mln lekë të humbura në këtë sezon. Nuk e tërheq asnjë tregtar, as në eksport asgjëkundi”, thotë ai.

E njëjta situatë është edhe në serrat e Lushnjes, ku ngricat janë një fenomen i rrallë. Por Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti thotë se dëmet nuk janë masive.

“Janë rreth 200 ha të dëmtuar, janë luleshtrydhet, pjesërisht agrumet, sallatat, brokoli dhe perimet e stinës. Dëme në blegtori nuk kemi. Nuk pritet të ketë ndikime sepse ka qenë dëmtim i kufizuar edhe i pritshëm sepse dimri i ka këto fluktuacione”, thotë Panariti.

Për të minimizuar humnjet si pasojë e motit, Qeveria po sheh mundësinë e përfshirjes së fermerëve më të rrezikuar në skemat e sigurimit, me kontributin e fondeve shtetërore apo projekteve ndërkombëtare.

“Dy janë mundësitë që kanë rezultuar me sukses, së pari përdorimi i fondeve të Agjencisë së Pagesave për të mbuluar primet e sigurimit për dy vitet e para dhe pastaj ata hyjnë vetë në marrëdhënie, e dyta përfshirja në paketën e kredisë edhe e një mase financiare për sigurimin e bizneseve”, sqaron ministri.

Debora, sipas ministrit, është edhe një lajm i mirë për bujqësinë.

“Bora është edhe një bekim për bujqësinë”, thotë Panariti.

Top Channel