Rally Dakar, Loeb merr kryesimin për makina

11/01/2017 00:00

Sebastian Loeb është fituesi i etapës së 8 të Rally Dakar, Uyuni-Salta. Piloti francez arriti të përshkojë këtë itinerar me kohën 4 orë, 11 minuta e 2 sekonda, duke e lënë pas bashkëkombasin e tij Stefan Peterhansel me 3 minuta më shumë, ndërkohë që në vendin e tretë u pozicionua një tjetër francez, Cyril Despres.

Suksesi në këtë etapë i jep mundësi Loebit të marrë kryesimin në renditjen e përgjithshme, duke e spostuar Peterhanselin në vendin e dytë, ndërkohë që në të tretin gjendet pikërisht Despresi.

Në kategorinë e motorëve, është spanjolli i Hondës, Joan Barreda ai që fitoi etapën e tetë me 4 orë, 28 minuta e 21 sekonda, duke lënë pas në vendin e dytë dhe të tretë austriakun Walkner dhe britanikun Sunderland, me këtë të fundit që është i pashqetësuar në krye të renditjes së përgjithshme në këtë kategori. Në vendin e dytë është ende Quintanilla me 20 minuta më shumë, ndërsa i treti pozicionohet holandezi Van Beveren.

Ndërkaq, mësohet se organizatorët e Rally Dakar e kanë anuluar etapën e 9 të këtij evenimenti për shkak të kushteve të vështira atmosferike.

Top Channel