Akuzat për racizëm, kryeprokurori i ardhshëm në SHBA: Totalisht të rreme

10/01/2017 00:00

Senatori Jeff Sessions u përball me një prej kritikave më të mëdha që shoqërojnë emërimin e tij për t’u bërë Prokurori i ri i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, duke këmbëngulur se nuk është racist.

Gjatë një seance të vështirë përpara Senatit, ai mohoi me vendosmëri akuzat se simpatizonte grupin racist “Ku Klux Klan”. Demokratët, të cilët janë shprehur të shqetësuar për zgjedhjen e senatorit të Alabamës, për shkak të qëndrimeve diskriminuese në të kaluarën, megjithatë nuk e kanë fuqinë për ta bllokuar emërimin.

Prokurori i Përgjithshëm drejton Departamentin amerikan të Drejtësisë dhe vepron si këshilltari kryesor i presidentit lidhur me çështjet ligjore. Gjatë dëshmisë përpara senatit, 69-vjeçari i cilësoi si totalisht të rreme akuzat se, ai dikur kishte mbështetur grupin famëkeq racist “Ku Klux Klan”.

“Unë ndiej neveri për klanin dhe për ideologjinë e urryeshme që ai përfaqëson. Nuk kam deklaruar kurrë se shoqata kombëtare për avancimin e personave me ngjyrë është jo amerikane”, tha Sessions.

Sessions pranoi gjithashtu ndikimin e tmerrshëm që pati diskriminimi sistematik dhe mohimi i të drejtës së votës, tek ata që i quajti vëllezërit dhe motrat afroamerikane. Komentet e tij vijnë pasi senatorja Diane Feinstein ngriti shqetësimet për emërimin e Sessions, duke kujtuar se ai kishte votuar kundër Amendamentit që pohon se Shtetet e Bashkuara nuk do të ndalonin hyrjen e njerëzve në Amerikë mbi bazën e fesë së tyre.

Por senatori republikan Chuck Grassley e përshkroi të zgjedhurin e Donald Trumpit, si një njeri të ndershëm dhe me integritet. Seanca u ndërpre vazhdimisht nga protestues të veshur si pjesëtarë të grupit racist “KKK”, duke thërritur slogane të tilla si “jo Trumpit”, e “jo racizmit” në SHBA.

Top Channel