Emergjencat Civile: Temperaturat e ulëta, vështirësi jetese dhe qarkullimi rrugor

08/01/2016 00:00

Përmes një informimi të përgjithshëm mbi situatën e shkaktuar nga i ftohti i acartë në mbarë vendin dhe masat e marra për të përballuar vështirësitë, Emergjencat Civile njoftojnë se, pavarësisht ndërprerjes së reshjeve të dëborës, ka ende akse rrugore nëpër fshatra të njësive administrative të zonave të thella malore që nuk janë hapur plotësisht.

Megjithatë, firmat kontraktore po punojnë me forca dhe mjete në akset rrugore problematike. Ndërkohë, furnizimi me energji elektrike ka qenë gjithashtu me ndërprerje në zonat e thella, sepse për shkak të ngricave, specialistët e OSHEE-së e kanë të vështirë lëvizjen me mjete.

Sa u përket akseve nacionale, ato janë plotësisht të qarkullueshme sipas Emergjencave Civile, ndërsa vetëm në ndonjë segment ka nevojë për përdorimin e zinxhirëve.

Punonjësit e emergjencave, Policia e Shtetit dhe të gjitha strukturat e angazhuara për përballimin e situatës gjenden në terren, për t’iu gjendur pranë qytetarëve e mjeteve në vështirësi.

Ndërkohë, edhe parashikimet e sinoptikanëve lënë të kuptohet se situata e rënduar nga temperaturat e ulëta do të vijojë.

Situata në akset rrugore në të gjithë vendin, mëngjesin e kësaj të diele paraqitet si më poshtë:

QARKU KUKËS
Të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme me zinxhirë.
Në Rrugën e Kombit po punohet me mjete borëpastruese për pastrimin e saj nga bora dhe akulli.
Akset Kukës-Has-Tropojë dhe Tropojë-Qafë Morinë qarkullimi kryhet me zinxhirë.
Akset rurale të njësive administrative Grykë Çajë, Kalisë, Arrën, Surroj, Topojan dhe Shishtavec vijojnë të jenë të bllokuara.
Akset rurale të njësisë administrative Gjinaj, Bashkia Has janë bllokuar nga reshjet e dëborës.
Në disa fshatra të njësive administrative Lekbibaj, Gjinaj dhe Bushtricë ka pasur mungesë të energjisë elektrike. Grupet e punës së OSHEE-së po punojnë për të sjellë energjinë elektrike në zonat problematike.

QARKU DIBËR
Aksi rrugor kombëtar Qafë Bualli-Peshkopi, njësia administrative Maqellarë, qarkullimi kryhet me zinxhirë. Policia po mban në monitorim këtë aks rrugor ndërsa janë angazhuar 4 mjete borëpastruese.
Aksi rrugor Peshkopi-Lurë vazhdon të jetë i bllokuar. Po punohet me një fadromë për hapjen e saj.
Aksi rrugor Peshkopi-Selishtë është i kalueshëm me zinxhirë. Pas një pune intensive është bërë e mundur hapja e këtij aksi rrugor.
Rruga Ura e Çerenecit-Steblevë është hapur dhe qarkullimi i mjeteve bëhet me zinxhirë.
Aksi rrugor Peshkopi-Kala e Dodës, qarkullimi i mjeteve bëhet me zinxhirë.

QARKU SHKODËR
Aksi rrugor Shkodër-Qafë Thore-Theth është i bllokuar, ndërsa trashësia e borës ka arritur 1 metër. Po punohet me 4 fadroma për hapjen e këtij aksi rrugor.
Aksi rrugor Shkodër-Bregu Lumit është i bllokuar në vendin e quajtur Mali i Shoshit. Po punohet me 2 fadroma për hapjen e aksit rrugor por ka vështirësi për shkak të ngricave.
Në tre njësitë administrative Shalë, Shosh dhe Pult vazhdon të jetë problem mungesa e energjisë elektrike. Grupet e punës së OSHEE-së po punojnë për riparimin e defekteve.
Aksi rrugor Qafë Mali-Fierzë është i kalueshëm me një kalim nën monitorimin e Policisë Rrugore. Trashësia e dëborës është 1 metër. Po punojnë 2 borëpastruese dhe 1 fadromë për hapjen e aksit rrugor.
Aksi rrugor Bardhet-Iballë dhe Qafë Qerreti -Qelëz, është i bllokuar. Trashësia e dëborës në Qafë Shari është rreth 70 cm. Po punojnë 2 fadroma për hapjen e aksit rrugor.
Aksi rrugor Fush Arrëz-Qafë Shllak, është i qarkullueshëm me zinxhirë. Trashësia e dëborës është 1 m. Po punojnë 2 fadroma në këtë aks rrugor.
Aksi rrugor Qafë Çelë-Pukë-Fushë Arrës, i kalueshëm me zinxhirë. Po punojnë 4 borëpastruese dhe 1 fadromë në këtë aks rrugor.
Aksi rrugor Hadroi-Qafë Benë, i kalueshëm me zinxhirë. Po punojnë 1 borëpastruese  dhe 1  fadromë për mirëmbajtjen e këtij aksi rrugor.
Ka pasur probleme furnizimi me energji elektrike në bashkinë Pukë dhe në disa fshatra të njësive administrative Iballë, Fierzë, Blerim dhe Gjegjan.
Segmenti rrugor Bogë-Qafë Thore, Selcë (Shkemb i Kuq) – Budaqë (Vermosh) janë të bllokuara. Në vendin e quajtur “Gropat e Selcës” ka rreth 70 cm dëbore.
Po punojnë tre fadroma nga Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile dhe Ministria e Mbrojtjes për hapjen e akseve rrugore në bashkinë Malësi e Madhe.
Segmenti rrugor Shllak – Temal vazhdon të jetë i bllokuar. Të bllokuara janë dhe disa akse rrugore rurale.
Në bashkinë Vau i Dejës është nisur një fadromë nga Ministria e Mbrojtjes për hapjen e akseve rrugore problematike.

QARKU LEZHË
Aksi rrugor Kallmet-Ungrej, është i qarkullueshëm me zinxhirë.
Aksi rrugor Rrëshen- Tuneli i Kalimashit është i kalueshëm me zinxhirë në pjesë të veçanta. Firma kontraktore po punon me 7 borëpastruese për të siguruar kalueshmërinë në rrugë.
Aksi rrugor Rrëshen- Burrel është i hapur por në pjesë të caktuara ka vështirësi kalimi si pasojë e ngricave. Firma kontraktore po punon me fadromë për të mbajtur të hapur rrugën.
Akset rrugore rurale të njësive administrative, Fan, Orosh, dhe Selitë janë bllokuar nga dëbora e cila ka arritur trashësinë 35-100 cm. Firmat kontraktore po punojnë në këto zona por puna e tyre është vështirësuar së tepërmi nga era e fortë dhe ngricat.
Në Njësitë Administrative Fan, Orosh dhe Selitë ka mungesë të energjisë elektrike. Grupet e punës së OSHEE po punojnë për të sjellë energjinë në këto zona.
Policia Rrugore po monitoron kalimin e automjeteve në akset rrugore.

QARKU ELBASAN
Aksi rrugor Librazhd-Stëblevë, i kalueshëm me zinxhirë.

QARKU KORÇË
Të gjitha akset rrugore janë të qarkullueshme pa zinxhirë, me përjashtim të aksit rrugor Pogradec – Lin, i cili është i qarkullueshëm me zinxhir. Nuk raportohen probleme të furnizimit me energji elektrike dhe ujë të pijshëm.

Top Channel