Kontrollet për gazin, inspektorët në terren për sigurinë dhe abuzimin me çmimet

06/01/2017 00:00

Agjencitë shtetërore kanë nisur kontrollet masive në pikat e tregtimit të gazit. Inspektoriati Shtetëror Teknik dhe Bashkia e Tiranës janë duke kryer kontrolle të përbashkëta në stacionet e karburanteve në kryeqytet.

“Objekt i kontrollit janë të gjitha subjektet apo operatorët ekonomikë të shumicës, që bëjnë tregtimin me shumicë të këtij produkti, por që në bazë të ligjit kanë të drejtë të mbushin bombolat me GLN për konsumatorët fundorë, familjarë apo lokale”, tha Arian Goshi, drejtor i Inspektoriatit të Pajisjeve nën Presion.

Për arsye sigurie, qeveria e ka ndaluar mbushjen e bombolave në pikat e autogazit, që kanë stacionet e karburanteve.

“Këto pika që tregojnë gazin e lëngshëm të mos bëjnë mbushjen dhe rimbushjen e bombolave në autogaze, apo në pikat ku tregtojnë bombola. Gjithmonë gazi i lëngshëm të tregtohet në bombola të sigurta dhe i ambalazhuar”, theksoi Shkëlqim Goxhaj, nga Bashkia Tiranë.

“Kjo nënkupton një kontroll të sigurtë të bombolave para hyrjes së tyre në treg dhe një garanci shumë më të madhe për familjet apo bizneset që përdorin këto bombola”, tha Arian Goshi, drejtor i Inspektoriatit të Pajisjeve nën Presion.

Inspektoriati dhe bashkia janë duke kontrolluar vetëm për kushtet e sigurisë. Por paralelisht, kompanitë e gazit janë duke u kontrolluar edhe nga Tatimet për rritje abuzive të çmimeve. Sipas Ministrisë së Financave, këto kontrolle janë duke u kryer befas dhe çdo subjekt që ka rritur çmimin për gazin që përdoret nga familjet do të penalizohet.

Top Channel