Reshjet e dëborës, vështirësi në qarkullim; por s’ka bllokime

05/01/2017 00:00

Verilindja e vendit vijon të jetë nën pushtetin e dëborës, reshjet e së cilës janë intensifikuar gjatë paradites.

Arrni, Kalisi, Grykëçaja dhe Surroji janë të bllokuara dhe një pjesë e fshatrave janë pa energji elektrike. Trashësia e dëborës në qytetin e Kukësit ka kaluar 20 cm.

Kryetari i bashkisë, Bashkim Shehu ka kërkuar mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave për situatën dhe u ka bërë thirrje qytetareve të mos lëvizin pa patur arsye madhore.

“Ne i bëjmë thirrje Drejtorisë së Përgjithshme të vijojë bashkëpunimin e mirë dhe të jetë në gatishmëri, pasi kapacitetet e bashkisë nuk janë të mjaftueshme”, ka thënë Shehu.

Reshje të dendura dëbore vazhdojnë edhe në Dibër. Trashësia në qytetin e Peshkopisë arrin në 10 cm, ndërsa në lartësinë 800 metra trashësia shkon në 40 cm.

Të bllokuara janë Lura dhe Selishta në Dibër, si dhe disa fshatra të Zall Recit. Furnizimi me energji elektrike është bërë pa ndërprerje, ndërsa nuk janë raportuar ende emergjenca shëndetësore.

Autoriteti Rrugor: Në veri, asnjë aks nacional i bllokuar

Drejtori i Autoriteti Rrugor për Rajonin e Veriut, Shkëlqim Sterkaj, në një komunikim me mediat mbi situatën në rrugët në veri të vendit është shprehur se, asnjë aks nacional që mbulon ARRSH nuk është i bllokuar.

Sterkaj ka theksuar se, të gjithë kontraktorët janë duke punuar me mjete dhe kripë dhe se situata është nën kontroll. Sipas zyrtarit të lartë, akset ku kalohet me zinxhirë janë ato në zonën e Pukës, Kukësit dhe Kelmendit.

Sa i përket rrugës së Kombit, “ajo është pa probleme dhe në të janë duke punuar 15 borëpastruese”, ka thënë Sterkaj. Gjithashtu, Sterkaj është shprehur se po merren masa edhe për ditët në vazhdim.

Top Channel