Një ton pendëblu u shit për 74,1 milionë jen ose 614 000 dollarë në ankandin e parë të vitit të tregun Tsukiji, më i famshmi i peshkut në botë, në Tokio, pavarësisht paralajmërimeve se dekadat e peshkimit industrial në Japoni dhe vende të tjera po e shfarosin këtë specie.

Peshku prej 212 kilogramësh u ble nga Kiyomura, kompania që kontrollon zinxhirin e restoranteve sushi Zanmai. Presidenti i kompanisë Kiyoshi Kumira, i cili njihet si “Mbreti Ton”, mposhti rivalët në ankand për të gjashtin vit rresht. Ankandi i parë i vitit në tregun Tsukiji tërheq shumë restorante që duan të përfitojnë nga reklama, por mbi të gjitha konsiderohet si mbarësi për këtë tregti dhe biznes për vitin që nis.

Në vitin 2013, Kimura shënoi rekordin absolut pasi bleu një peshk ton pendëblu për më shumë se 1,2 milionë dollarë. Megjithëse ankandi shkoi mirë dhe e nisi vitin me vrull, tregtarët shprehën zhgënjimin e tyre pasi transferimi i planifikuar i tregut më të madh të peshkut në botë u ndal vitin e shkuar për shkak të shqetësimeve për ndotjen në shtëpinë e re të propozuar.

Tregtarët dhe peshkatarët thonë se sikur të mos mjaftonte fakti se lëvizja është problematike, tashmë ata janë të pasigurt se kur do të ndodhë dhe kjo ka ndaluar investimet.

FOTO GALERI
1/10

Top Channel