Arrestohet në Francë Ramush Haradinaj

04/01/2017 00:00

Policia franceze ka arrestuar kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai është arrestuar në bazë të një urdhër arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia.

Haradinaj është i ndaluar në një burg në Francë, ndërkohë që autoritetet franceze kanë njoftuar ato kosovare për arrestimin e tij.

Lajmi për arrestimin e liderit të AAK-së, është konfirmuar për mediat kosovare nga familja Haradinaj e më pas edhe nga Ministria e Jashtme e Kosovës.

Mësohet se Haradinaj u arrestua në Aeroportin ndërkombëtar Basel-Mulhouse, në pjesën franceze të tij. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, AAK ka dënuar arrestimin e Kryetarit të saj duke e quajtur atë një veprim krejtësisht të padrejtë dhe të papranueshëm.

“U bëjmë thirrje autoriteteve franceze qe t’i mundësojnë zotit Haradinaj që të vazhdojë udhëtimin e tij i papenguar dhe kërkojmë nga autoritetet e Bashkimit Evropian dhe të shteteve evropiane veç e veç që të mos pengojnë lëvizjen e lirë të autoriteteve të Kosovës, sipas urdhër arresteve të paligjshme të Serbisë”, thuhet në deklaratë.

AAK më tej i ka kërkuar qeverisë së Kosovës që të ndërpresë çdo komunikim me Serbinë deri sa ajo të tërheqë fletarrestet ndërkombëtare kundër përsonaliteve të Kosovës.

Ne 2015-ën, lideri i AAK-së Ramush Haradinaj ishte arrestuar edhe në Slloveni, arrestim ky i bazuar po në fletë arrestin e Interpolit, lëshuar nga policia e Serbisë në vitin 2006. Haradinaj, asokohe po udhëtonte tranzit drejt Kosovës, nga Gjermania dhe u ndalua në aeroportin e Lubjanës.

Top Channel