U vetëvar në qeli, familjarët e 22-vjeçarit: Vetëvrasje nga depresioni

04/01/2017 00:00

I arrestuar për një cigare hashash. I ati i Estref Halilit, 22-vjeçarit që vari veten të martën në mbrëmje në burgun e Rogozhinës, thotë se i biri kishte rënë në depresion pas arrestimit, që ishte i dyti brenda pak vitesh.

Për herë të parë, Halili ishte arrestuar dhe dënuar po për kanabis sativa në moshën 18-vjeçare. Në familjen e tij në Kolonjë të Lushnjes kërkojnë kthimin e trupit, i cili po i nënshtrohet ekzaminimeve mjeko-ligjore.

“I dhanë 5 vjet dënim për 3 gramë hashash që e konsumonte vetë. Tani e kapën me një cigare dhe i thanë se do të marrësh dënim më të rëndë. Policia duhet të shohë ata që trafikojnë me maune e kamionë dhe jo këta adoleshentë që marrin një cigare për ta pirë, dënohen dhe më pas vetëvriten”, thotë Hartjan Halili.

“Nuk kam shitur as hashash, as drogë e asgjë. Fëmijët gënjehen”, thotë e ëma, Entela Halili.

I vëllai, që e takoi për herë të fundit një ditë para Vitit të Ri, thotë se Estrefi nuk e ka përballuar dot arrestimin e dytë. Halili ishte arrestuar nga policia e Fierit në fund të dhjetorit, pasi i ishte gjetur hashash dhe një thikë. Ndërsa më herët ai ka qenë i dënuar po për lëndë narkotike.

Top Channel