Një vit me Zidane, lëvizja fituese e Perez

04/01/2017 00:00

Ka kaluar saktësisht një vit që kur Florentino Perez vendosi të shkarkonte nga pankina e Realit të Madridit Rafael Benitez, duke i besuar formacionin merenges, një emri që kishte shkëlqyer më parë në fushë me të njëjtën fanelë.

Zinedine Zidane ishte një zgjedhje e rrezikshme, por e guximshme, që dha frytet e saj, duke llogaritur se nën drejtimin e francezit, ‘blankos’ arritën të mbyllin 2016 me një bilanc spektakolar.

Fitore në Champions League, sukses në Superkupën e Europës dhe së fundmi botërori i klubeve. Reali i Madridit aktual është një skuadër që nuk humbet që prej 37 ndeshjesh dhe ka në shënjestër krejtësisht të arritshme rekordin e Barcelonës me 39. Pak njerëz do të kishin vënë bast që një trajner në eksperiencën e parë të një ekipi kaq të titulluar, të ishte i aftë për të ndryshuar fytyrën e një formacioni plot yje.

Zizu e ka bërë të paharrueshëm Realin e 2016, edhe pse fillmisht jo gjithçka shkoi mirë për ekipin e kryeqytetit spanjoll. Në humbjen para disa muajsh ndaj Atletikos vërshuan kritikat ndaj francezit, ashti si në disfatën e çerekfinaleve ndaj Volfsburgut në Champions, që vuri në diskutim rrugëtimin ‘merenges’. Por Zidan diti të menaxhojë një skuadër shpërthyese, duke mbyllur vitin me 40 fitore, 11 barazime dhe vetëm dy humbje, gjithçka në total në 53 pankina.

Zizu pati meritën se eliminoi polemikat brenda ekipit dhe riktheu klimën optimale që kishte karakterizuar drejtimin e Ançelotit. Me mbështetjen e plotë të një egoje si Ronaldo që mund të dilte në çdo moment jashtë kontrollit, erdhi Champions numër 11 dhe në mes të verës edhe Superkupa e Europës në dëm të Sevijës.

Tashmë rekordi i 39 ndeshjeve pa humbje të Barçës së drejtuar nga Luis Enrike është shumë pranë. Po dridhen në Katalonjë e gjithashtu në Napoli, kundërshtari i ardhshëm i ‘merenges’ në Ligën e Kampioneve.

Top Channel