Japonia e nis 2017-n me lutje për sukses në biznes

04/01/2017 00:00

Ditën e parë të punës për 2017-n, shumë japonezë e kanë nisur me lutje. Mijëra vetë u mblodhën përpara tempullit “Shinto” në kryeqytetin e vendit, Tokio, ku janë lutur për fat të mirë dhe sukses në biznes gjatë 12 muajve në vazhdim.

Tempulli 1.300-vjeçar është mjaft popullor, sidomos mes të punësuarve të kompanive dhe pronarëve të bizneseve, për arsyen e thjeshtë se i kushtohet dy prej 7 hyjnive të mbarësisë.

“Si president kompanie, dua të bëj më të mirën e mundshme për mbarëvajtjen e saj. Por jam këtu për t’u lutur gjithashtu, që punonjësit e mi të kenë shëndet të mirë”, tha Morishita Yoshimichi, biznesmen 38-vjeçar.

“Perënditë e adhuruara këtu përfshijnë edhe hyjnitë e biznesit, kështu që unë për këtë po lutem, që gjërat të shkojnë mirë dhe që bashkëpunëtorët e mi të gëzojnë shëndet të plotë e të kenë mbarësi”, tha Yamabe Misako, punonjëse.

Si të mbarë e shohin 2017-n priftërinj të komunitetit afro-kuban të Kubës. Ata i këshillojnë vendasit të mos heqin dorë nga shpresat për ditë më të mira, pavarësisht vështirësive të ekonomisë dhe tallazeve diplomatike të vendit.

Profecia e tyre parasheh zhvillim ekonomik, edhe pse presidenti Raul Castro bëri një tablo të zymtë të situatës javën e kaluar, kur tha se Kuba kishte hyrë në recesion vitin që shkoi, në një linjë me krizën e thellë të Venezulës, aleatja më e ngushtë e Havanës.

Top Channel