Kupa e Mbretit, Atletico drejt çerekfinaleve. Turpërohet Valencia

04/01/2017 00:00

Për Atletico Madrid, Kupa e Mbretit duket një mision i përmbushur pa shumë sforco. Në ndeshjen e parë të 1/8-ave të trofeut të dytë më të rëndësishëm në Spanjë, skuadra e Simeones ka fituar 2-0 në transfertë me Las Palmasin, duke hedhur më shumë sesa një këmbë drejt çerekfinaleve.

Sa i përket ndeshjes, për “Los Colchoneros” kanë mjaftuar nga një gol në secilën pjesë, me autorë Koke dhe Griezmann, edhe pse vendasit duket se bënë rezistencë të fortë, pavarësisht se nuk mund të frenonin kundërshtarët.

Rezultati surprizë vjen nga Valencia, e cila është mposhtur 4-1 në “Mestalla” nga Celta Vigo, vetëm pak ditë pasi ekipi vendosi të shkarkonte trajnerin Cesare Prandellin. Në këtë ndeshje, përgjegjësinë e drejtimit nga stoli e pati Voro Gonzales, trajner i përkohshëm, i cili nuk mundi të bënte asgjë për të ndaluar momentin negativ.

3 gola në vetëm 19 minuta lojë kanë pësuar vendasit, teksa për Celtën shënuan Aspas (11 metërsh), Bongonda dhe Ëass. Parejo u përpoq të bënte diçka, me golin e shënuar në minutën e 58 nga penalltia, por ishte sërish Celta, që mbylli llogaritë në minutën e 75-të me anë të Guidettit.

Kualifikimin për në çerekfinale duket se e ka siguruar edhe Eibari, që mposhti 3-0 Osasunën në “Pamplona”. Ndërsa Deportivo La Coruna barazoi 2-2 ndaj Alaves, me miqtë që ishin në avantazh të dyfishtë në pjesën e parë.

Top Channel