Mirënjohja për nënën nuk ka kufi

02/01/2017 00:00

Herolinda Metaj është një vajzë 23-vjeçare e cila ka lindur dhe ështe rritur në Kosovë por që prej pothuajse 5 vitesh jeton në Gjermani.

Historia e saj nuk është një histori e thjeshëe, por duke parë pjesën e parë të emisionit tonë ajo vendosi që ashtu si shumë njerëz që bëheshin pjese e programit, edhe ajo të tregonte mirënjohjen dhe dashurinë për një person të veçantë. Për mamanë e saj, një person të shenjte e cila e vetme rriti 6 fëmijë jetim me shumë mund dhe sakrifica.

Familja e Herolindes jetonte në Kosovë, në fshatin Kërrninë. Ishte viti 1992 dhe Herolinda nuk kishte ardhur ende në jetë, në atë periudhe mamaja ishte shtatzënë me të. Prinderit e saj ishin të arsimuar, mamaja kishte mbaruar shkollen e mesme për mjekesi ndërsa babai për elektronikë, por përsëri kushtet e tyre ekonomike ishin shumë të këqija sepse nuk mund të gjenin punë për shkak se ishin kundër regjimit.

Sikur kjo të mos mjaftonte, çdo natë sytë e mamasë së saj shikonin vetem tmerr sepse i duhej të dëshmonte teksa forcat serbe rrihnin bashkëshortin e saj dhe djalin e madh, i cili atëherë ishte vetëm 15 vjeç. Ata vinin në shtëpinë e tyre, kërkonin armë dhe rrihnin babain e Herolindës derisa një natë e qëlluan për vdekje.

Por tmerri i tyre nuk mbaronte këtu. Mamaja e Herolindës përveçse mbeti me 6 fëmijë për të cilët duhej të kujdesej e vetme, forcat serbe vazhdonin të shkonin në shtëpinë e tyre dhe të rrihnin djalin e madh. Në këto rrethana vëllai i madh i Herolindës detyrohet të emigrojë në Gjermani.

Vëllai i dytë u sëmur keq dhe doktorët nuk i dhanë shpresa se do të jetonte. Mamaja po ndihej e pafuqishme me gjithçka që po ndodhte, ajo e çoi edhe djalin e dytë në Gjermani me shpresën se aty doktorët do ta shëronin. Dhe kështu ndodhi, pas disa operacioneve ai u bë më mirë.

Por për këtë familje vuajtjet nuk kishin të sosur. Djali i vogël, i cili ishte vetëm 7 vjec, duke çuar bagëtinë në fushe teksa ishte duke vrapuar i ngulitet një gjemb në syrin e majtë. Mamaja e çon menjëherë në spital, por doktori nuk e mjekoi sepse kërkoi lekë, të cilat në atë kohë mamaja e Herolindës nuk i kishte.

Në vitin 1999 Herolinda se bashku me motrën dhe vëllain e vogël kanë kaluar pafund dhimbje sepse ishin pjesë e luftës së Kosovës. Ato patën fat të shkonin si refugjat në Durrës. Nga aty ikën në Itali e më pas në Gjermani.

Vuajtjet ishin të mëdha, si për të gjithë refugjatët, por përsëri ishin të gjithë së bashku dhe kjo ishte e mjaftueshme per ta. Per me teper, kishin edhe mbeshtetjen e halles se tyre, e vetmja e aferme nga ana e babit, e cila i ndihmonte sa mundej per t’u lehtesuar sadopak veshtiresite.

Herolinda i është jashtë mase mirënjohëse nënës së saj për gjithçka, Ajo është heroina e tyre, u mësoi mirësjelljen dhe respektin, u mësoi të zgjidhnin rrugën e drejtë. Edhe pse me një varfëri aq të madhe ajo i ndihmoi që të bëheshin dikush në jetë. Sot Herolinda ka arritur shumë, pavarësisht moshës së re dhe familja e saj është krenare për këtë gjë, por ajo do t’u tregoje publikisht qe arsyeja janë ATA, që vetëm fale tyre sot është e lumtur, falë mamasë, mbretëreshës së saj.

Top Channel