Veliaj: Me planin e ri urbanistik, Tirana më e mirë

02/01/2017 00:00

Me planin e ri urbanistik e ardhmja për Laprakën dhe Tiranën është më e mirë, është shprehur kreu i bashkisë Erion Veliaj. Një tjetër hapësirë i është kushtuar fëmijëve të vegjël të kësaj zone, ku është ndërtuar këndi i lojrave, pas ndërtimit të çerdhjeve, kopshteve dhe shkollave. Lapraka tha Veliaj do të jetë një nga qendrat e Tiranës.

“Bashkë me këndin e lojërave, mbyllëm edhe planin tonë urbanistik i cili parashikon që Lapraka të jetë një qendër urbane e Tiranës policentrike, pra të jetë një ndër qendrat e Tiranës. Mund të bëhet e tillë duke filluar te blloku numër 1, ku ka filluar gjithë urbanizimi. Mund të bëhet e tillë duke krijuar kënde lojërash nga ish-baltovinat dhe parkingjet dhe gropat që s’kishin fund në këtë territor. Bëhet e tillë duke gjetur hapësira publike që mund t’i pyllëzojmë”, tha Veliaj. 

 

Ai u bëri thirrje të gjithë atyre që bëjnë kritika ndaj investimeve të Bashkisë që të fokusohen tek puna, në mënyrë që Tirana të ecë edhe më shpejt.

 

“U kërkoj edhe atyre që janë kritikë, boll me baltë, ejani të punojmë! Nëse gjithë këtë energji që hedhim baltë e kthejmë në punë, e kthejmë në pyllëzim, në kënde lojrash, në investime për Bashkinë, atëherë Tirana mund të ecë akoma edhe më shpejt se ç’ka ecur këtë vit të parë”, tha ai. 

 

Kreu i Bashkisë garantoi se me planin e Përgjithshëm Vendor, e ardhmja e zonës së Laprakës dhe e gjithë qytetit të Tiranës do të jetë edhe më e mirë.

 

“I garantoj qytetarët se edhe me planin e ri urbanistik, e ardhmja për Laprakën dhe Tiranën është më e mirë. U përket fëmijëve, atyre që janë pa hile, që nuk hedhin baltë, atyre që kujdesen për këtë qytet dhe që kanë ëndrra e shpresë për një qytet më të mirë. Gëzuar, shëndet dhe një vit i mbarë”, theksoi kryebashkiaku Veliaj.

 

Top Channel