Thaçi uron Kosovën: Në 2017 do të punojmë edhe më shumë

31/12/2016 00:00

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka uruar qytetarët për natën e ndërrimit të viteve, duke vlerësuar me nota pozitive vitin që po lëmë pas.

“Të dashur qytetarë, është kënaqësi t’ju drejtohem në natën e fundit të vitit me urimet më të përzemërta për ju dhe familjet tuaja. Viti që po lëmë pas ishte vit i hapjes së mundësive të reja për qytetarët tanë, por edhe i kalitjes me sfidat e shtetit dhe shoqërisë për të ardhmen tonë evropiane”, është shprehur Thaçi.

Një urim të veçantë, presidenti ka bërë edhe për ata që pavarësisht festës janë në vendet e punës.

“Sonte teksa festojmë dhe urojmë njëri-tjetrin, kujtojmë edhe ata që janë në vendet e tyre të punës: policët, zjarrfikësit, mjekët, punëtorët, që kujdesen për ne të festojmë në rehati dhe qetësi. Ata janë heronjtë e sotëm, sepse me shembullin e tyre tregojnë atë për çfarë shteti ynë ka nevojë më së shumti, që secili të kryejë punën e vetë me nder e përgjegjësi. Urime të veçanta edhe ushtarëve të FSK-së dhe diplomatëve tanë që sonte festojnë larg familjeve të tyre”, ka thënë Thaçi.

“Duke u zotuar se do të punojmë edhe më shumë, se do ta duam edhe më shumë shtetin tonë, le të urojmë njëri-tjetrin me dëshirat më të mira për vitin 2017. Gëzuar!”, ka shtuar ai.

Top Channel