Heqja e mandateve, LSI: Mbështetje vendimit të KQZ-së

29/12/2016 00:00

Lëvizja Socialiste për Integrim ka mirëpritur vendimin e sotëm të KQZ-së për heqjen e mandateve të deputetëve Selami dhe Tahiri, si dhe kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Roshi.

Në një prononcim për mediat, nënkryetari Luan Rama ka deklaruar se procesi i dekriminalizimit duhet të kthejë besimin qytetar tek politika dhe në këtë drejtim ka inkurajuar institucionet për zbatimin e këtij ligji.

“Procesi i dekriminalizimit të politikës është shprehja më e qartë e vendosmërisë për të rikthyer besimin e qytetarëve tek politika. Në këtë kontekst, LSI mbështet vendimet më të fundit të KQZ-së dhe inkurajon të gjitha institucionet ligjzbatuese që pa asnjë hezitim të realizojnë procesin e dekriminalizimit, si një detyrim të rëndësishëm përballë interesave të vendit dhe integrimit europian të tij”, ka thënë Rama.

Ai ka shtuar se, LSI mbetet e vendosur që të krijojë në Shqipëri standarde euro-amerikane të angazhimit në politikë.

“LSI mbetet e vendosur të krijojë edhe në Shqipëri standardet euro-amerikane të angazhimit në politikë të qytetarëve të përgjegjshëm dhe që janë bartës e promovues të vlerave më të spikatura të shoqërisë. Ajo i ka bërë normë detyruese kriteret e ligjit të dekriminalizimit për të gjithë të zgjedhurit në forumet e LSI-së, në të gjitha forumet e saj”, ka nënvizuar Rama.

Top Channel