Këshilli bashkiak i Tiranës diskuton planin vendor dhe p/buxhetin 2017

29/12/2016 00:00

Këshilli bashkiak ka nisur mbledhjen për diskutimin e planit të përgjithshëm vendor dhe projektbuxhetit të vitit 2017 të bashkisë së Tiranës. Për herë të parë Tirana do të ketë një buxhet prej 15.3 miliardë lekë.

Kryebashkiaku Veliaj e cilësoi 2016 një vit të suksesshëm për kryeqytetin, dhe kjo konfirmohet nga realizimi i buxhetit më të madh që ka pasur ndonjëherë Tirana, prej 12.4 miliardë lekësh. Ai renditi një sërë investimesh madhore të nisura nga bashkia, që janë pranë përfundimit të punimeve.

Plani vendor për kryebashkiakun Veliaj është një dokument që projekton Tiranën si një hapësirë europiane.

“Deri më sot Planet Urbanistike janë parë, me të drejtë, si plane zhvillimi, që përcaktojnë njolla e intensitete ndërtimi. Por kjo nuk ka lidhje me dokumentin që kemi sjellë sot përpara Këshillit. Sigurisht, që edhe ky Plan adreson çështjen e ndërtimit, por kjo është veç njëra nga tematikat e trajtuara aty dhe jo më e rëndësishmja. Sepse mbi të gjitha ky dokument është një inventar i të gjithë problemeve, potencialeve, aseteve të Tiranës dhe i rrugëve sesi këto mund të adresohen apo shfrytëzohen në të mirë të qytetit”, tha ai.

Veliaj tha se procesi i hartimit të këtij plani ka vendosur pa asnjë dyshim një standard të ri transparence dhe përfshirje të komunitetit.

 “Plani që sjellim sot synon t’i japë Tiranës një identitet të ri urbanistik. Nuk është një plan i ngrirë, mekanik, i bukur në letër por i pazbatueshëm në praktikë, por një dokument që e trajton hapësirën e Tiranës së madhe si një organizëm, fleksibël dhe pragmatik sepse fokusohet tek zgjidhjet praktike në të mirë të qytetarëve dhe jo tek vizatimet e bukura në hartë”, tha Veliaj

Sipas tij, plani i ri ka 5 shtylla kryesore:
 Së pari, plani e trajton densitetin e qytetit në funksion të rritjes së efikasitetit të infrastrukturës, diversitetit të shërbimeve dhe ndryshimit të qasjes ndaj lëvizshmërisë;

Së dyti, ndryshimi i qasjes ndaj mobilitetit dhe lëvizshmërisë së njerëzve dhe mallrave në qytet;

Së treti, rizhvillimi dhe rigjenerimi i qytetit;

Së katërti, ruajtja e territorit bujqësor dhe natyror dhe Pylli Orbital si një kufi i ndërtimit pa kriter;

Së pesti, zhvillimi ekonomik, turistik dhe bujqësor i periferisë;

Top Channel