Qeverisja e Drejtësisë, Llalla fton prokurorët të aplikojnë për KLP

28/12/2016 00:00

Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla ka shpërndarë formularët që duhet të plotësohen nga të gjithë prokurorët, që synojnë të kandidojnë për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, një institucion i ri ky që parashikohet në Kushtetutën e re.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të përbëhet nga 11 anëtarë, ndërsa prokurorët konkurrues duhet të deklarojnë, përveç të dhënave personale, edhe për të afërm të shkallës së parë dhe të dytë.

Sipas ligjit, që nga bashkëshortet e tyre deri te nipër e mbesa, prokurorët duhet të tregojnë në formularë nëse ndonjëri prej tyre ushtron profesionin e avokatit, apo nëse është pronar apo drejtues ekzekutiv në subjekte tatimpaguese të mëdha.

Ndërkohë që në këtë dokumentacion, prokurorët duhet të dorëzojnë edhe një shkresë mbështetëse të firmosur nga kolegët e tyre. Këshilli i Lartë i Prokurorisë konsiderohet organi i ri më i lartë i Akuzës, i cili do të promovojë prokurorët, por detyra më e rëndësishme e tij sipas ligjit është të përzgjedhë 3 kandidatura për prokurorë të përgjithshëm, kandidatura që i kalojnë Kuvendit.

Të njëjtën gjë ka bërë edhe Gjykata e Lartë, e cila ka shpërndarë të njëjtët formularë për gjyqtarët që duan dhe synojnë të konkurrrojnë për institucionin e ri që do ngrihet dhe që është Këshilli i Lartë Gjyqësor e që do të ketë 11 anëtarë.

Top Channel