Carrie Fisher nuk i mbijeton infarktit, ndërron jetë “Princeshë Leila”

27/12/2016 00:00

Edhe pse u duk se gjendja e saj po shkonte drejt përmiresimit, aktorja Carrie Fisher nuk i mbijetoi dot rëndimit të situatës shëndetësore që i dha ataku kardiak i përpara disa ditëve.

Fisher, të cilën të gjithë e njohin si princesha Leia e sagës se famshme Star Wars, ishte 60 vjeç. Ataku në zemër e goditi në avion, kur aktorja po kthehej në Los Angeles për të kaluar festat me të afërmit e saj.

Regjisorja amerikane Anna Akana ishte ulur një radhe përpara Fisherit në fluturimin e javës së kaluar dhe shkroi në “Twitter” atë që kishte parë të ndodhte.

Carrie, sipas saj, ka mbetur pa ndjenja për gati 10 minuta dhe ndihma e pare i është dhënë menjëherë përmes masazhit të zemrës dhe frymëmarrjes artificiale. 60 vjeçarja po kthehej nga Londra ku kishte promovuar librin e saj të fundit “ditari i princeshës” e ku kishte marrë pjesë edhe në xhirimet e serialit “Catastrophe”.

“Star Wars” mbeti filmi më i rëndësishëm i Carrie Fisherit, që pati gjithashtu role edhe në prodhime të mëdha hollivudiane si “The Blues Brothers” dhe “Kur Harry takoi Sally-n”. Në muajin nëntor pushtoi faqet e revistave roze kur rrëfeu historinë e fshehtë të dashurisë me Harrison Ford, të cilën e ka përmendur dhe në librin e porsa publikuar.

Ishte një lidhje e shkurtër, por intensive ajo që pati me kolegun e takuar në shesh xhirimin e Luftës së Yjeve- asokohe një 33 vjeçar i martuar me dy femijë-, ndërsa Carrie vetë ishte vetëm 19 vjeç.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel