Bujar Lako ishte artist me fjalën e plotë. Si i tillë, ai nuk ka dashur që të ketë homazhe për të. Miq, të afërm e kolegë u mblodhën te shtëpia e tij, për ta përcjellë prej andej në shtëpinë e fundit.

“Iku një vlerë e jashtëzakonshme. Një gjeneral, siç me të drejtë e cilësonte edhe shtypi, i skenës dhe ekranit shqiptar”, tha aktori Mirush Labashi.

“Si artist nuk kam ç’të them. Si koleg, i jashtëzakonshëm. Si partner, një nga më komodët për mua”, tha aktorja Elvira Diamanti.

“Kisha një kuriozitet se kisha parë disa plane të tij që i binte klarinetës. Dhe mendoja se Bujari me të vërtet e kishte mësuar klarinetën. Por në bashkëpunim me Laver Bariun ai kishte filluar të imitonte në mënyrë perfekte të gjitha lëvizjet e duarve në klarinetën e tij”, u shpreh Pirro Kita, aktor.

Bujari la pas një sërë rolesh, që i gdhendi me mjeshtërinë e tij dhe iu dha atyre karakteret që spikasin ndër vite.

Halit Berati te “Gjeneral Gramafoni”, Tunxh tek “Udha e shkronjave”, Gjenerali italian te “Kthimi i Ushtrisë së vdekur”, Martin Kreka te “Përballimi”, e të tjera karaktere të spikatura në kinematografi.

Po ashtu, 70 role të tjera në teatër janë pjesë e identitetit të Bujar Lakos.

“Kjo ishte edhe vuajtja e Bujarit, që ne diskutonim shpesh. Thoshim, po ne që nuk flasim çfarë kemi bërë xhanëm? Aktori nga këto vdes, nga emocionet”, deklaron Pirro Kita.

69 vite janë pak për të mbajtur peshën që Lako i dha kohës së tij. Ai i dha lamtumirën e fundit kësaj bote, por lamtumirën kurrë nuk mund ta japë zëri me të cilin ai foli, personazhet që ai iu dha jetë, si dhe trashëgimia që ai la në në artin shqiptar, bashkë me zbrazëtinë e mungesës së tij.

Top Channel