LDK feston 27-vjetorin e themelimit, Mustafa: Lavdi flijuesve për demokraci

23/12/2016 00:00

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në përvjetorin e themelimit të LDK-së ka thënë se, 27 vite më parë, gratë dhe burrat më të mirë të Kosovës u bashkuan për t’i dhënë fund errësirës. Në këtë mënyrë, doktor Ibrahim Rugova u bë fener i të gjithë shqiptarëve.

Në fjalimin e tij para familjes Rugova, anëtarëve të LDK-së dhe të ftuarve të tjerë, ai tha gjithashtu se vizioni i Rugovës për Kosovën është shndërruar në përcaktim për popullin, duke siguruar paqe dhe stabilitet në Kosovë.

“LDK-ja është themeluar për të siguruar stabilitet dhe demokraci në vend. E ka orientuar Kosovën nga rrënjët, siç i quante Rugova ‘Rrënjët e Dardanisë Antike’. LDK-ja është anëtare e Partisë Popullore, rast për të cilin morëm edhe një telegram urimi. Në këto 27 vite, LDK-ja u ka shërbyer qytetarëve gjithmonë dhe ka kapërcyer sfida jo të lehta në ndërtimin e demokracisë në vendin tonë”, tha Mustafa.

Ai kujtoi gjithashtu flijuesit për Kosovën, të cilët ishin pjesë e LDK-së.

“Do t’iu jemi mirënjohës flijuesve të LDK-së, që dhanë kontribut për vendin tonë, si Fehmi Agani, Nekibe Kelmendi, Latif Berisha etj. Po ashtu edhe Sali Cekaj, Agim Ramadani, Ahmet Krasniqi e Tahir Zemaj. Të gjithë këto emra janë letërnjoftimi më i mirë nacional dhe frymës demokratike të Kosovës”, ka thënë ai.

Top Channel