F1, Honda kërkon më shumë bashkëpunim

23/12/2016 00:00

Honda kërkon të përfshihet akoma më shumë në Botërorin e Formula 1. Kompania  japoneze po mendon që të marrë përsipër të furnizojë më shumë skuadra në këtë kampionat duke nisur që nga viti 2018.

Honda ka një histori të pasur në Formula 1 duke qenë se në të kaluarën ka bashkëpunuar me skuadra fituese të këtij botërori, ndërkohë që për një kohë të shkurtër ka pasur edhe një skuderi të sajën.

Honda tentoi të nisë një bashkëpunim me Red Bull sezonin e kaluar, por pa mundur dot të arrijë një marrëveshje me skuadrën austriake.

Me McLaren, viti 2016 nuk ishte shumë i suksesshëm, por kjo nuk i pengon drejtuesit e kësaj kompanie të shpresojnë se do të përmirësohen.

Presidenti i Hondës, Yusuke Hasegawa deklaroi se janë disa skuadra të interesuara që të furnizohen me motorët e kompanisë japoneze për vitin 2018, por që për momentin nuk ka bisedime konkrete.

Sipas tij ajo që do të duhet të bëjë Honda, është që të provojë se ka bërë hapa përpara në lidhje me përmirësimin e motorit.

Top Channel