Kujdestaria për fëmijët, kërkohen ndryshime ligjore

22/12/2016 00:00

Shërbimi i kujdestarisë nuk është më një koncept i panjohur për vendin tonë. Por, problemi qëndron te gjykatat, të cilat për shumë arsye mbajnë peng vendimet edhe për familjet që plotësojnë të gjitha kriteret për të ofruar këtë lloj shërbimi, përkundrejt pagesës.

Për të deinstitucionalizuar fëmijët dhe për t’i dhënë fund zvarritjeve të çështjeve nga ana e gjykatave, ministria e Mirëqenies sociale ka një kërkesë për gjyqtarët.

 “Gjithë baza ligjore duhet të ndryshojë. Ka nevojë për rishikim, kjo do të bëhet në kuadër të një ligjit të ri për shërbimet e kujdesit shoqëror. Vonesa në dhënien e vendimeve nga gjykatat”, shprehet Denada Seferi.

Me rritjen e ndërgjegjësimit është rritur edhe numri i familjeve të përfshira në skemën e shërbimit të kujdestarisë, që në nivel kombëtar arrin në 241 familje gjithsej. Në rritje mbetet edhe numri i kërkesave. Po, çfarë kërkon të ndryshojë konkretisht ministria e Mirëqenies Sociale?

 “Të gjitha familjet do të monitorohen dhe inspektohen nga inspektorati i punës dhe çështjeve sociale. Në çdo familje do të shkojnë punonjësit social për të parë ecurinë e fëmijës”, thotë Seferi.

Pagesa e një çifti që merr një fëmijë në shtëpi, edhe pa qenë e detyruar ta birësojë, është 90 mijë lekë në muaj, plus 250 mijë lekë për shpenzimet vjetore, ku përfshihen: veshmbathjet, shpenzimet shkollore, duke mos përjashtuar edhe masën e financimit për fëmijët me aftësi të kufizuara, e cila është 100 mijë lekë në muaj.

Top Channel