Pronat ende shtetërore, komision i posaçëm për identifikim

22/12/2016 00:00

Qeveria do të ngrejë një komision të posaçëm, i cili do të identifikojë pronat e mbetura ende shtetërore, që do të përdoren për kompensimin e pronarëve.

Vendimi, i miratuar në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave, synon të përshpejtojë procesin e kthimit të pronave duke përdorur çdo aset të mbetur ende shtetëror.

Sipas tij, komisioni ka të drejtë që të kërkojë nga çdo institucion publik informacion të detajuar mbi listën e pronave që ata kanë, por edhe pronat të cilat janë nxjerrë jashtë funksionit.

Komisioni i posaçëm do të kryesohet nga zëvendëskryeministri Niko Peleshi dhe në përbërje të tij do të ketë përfaqësues nga pjesa më e madhe e ministrive.

Kjo strukturë do të mblidhet një herë në muaj dhe për çdo pronë shtesë të identifikuar i propozon Këshillit të Ministrave përfshirjen e saj në fondin fizik të kompensimit të pronave.

Qeveria shqiptare ka përcaktuar 50 miliardë lekë si fond financiar për kompesimin e pronave, i cili do iu shpërndahet pronarëve për një periudhë 10-vjeçare.

Veç kësaj shume, e cila do të paguhet nga buxheti, Agjencia e Kthimit të Pronave ka deklaruar se ka në dispozicion edhe një fond fizik pronash me vlerë 85 miliardë lekë, të cilat do të përdoren gjithashtu për të kompesuar pronarët.

Top Channel