Bushati: Ngjarjet në Ankara e Berlin nuk duhet të na përkulin

20/12/2016 00:00

“Tre ngjarje të kobshme dhe nga çdo pikëpamje të dënueshme tronditën sërish opinionin publik”. Me këto fjalë ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka komentuar ngjarjet e fundit në Ankara, Berlin dhe Zyrih, ku një numër i konsideruar personash.

“Atentati ndaj ambasadorit rus në Ankara; përsëritja, sipas të gjitha gjasave në Berlin, e aktit makabër të ndodhur më parë në Nice; si dhe sulmi para një xhamie në Zyrih synojnë të mbjellin pasiguri e të mbajnë gjallë psikozën e terrorit dhe kërcënimin ndaj normave të bashkëjetesës ndërkombëtare”, ka thënë Bushati.

Ai ka theksuar se, asnjë padrejtësi nuk mund të justifikojë vrasjen dhe terrorin. “Ndajmë dhimbjen e familjeve të viktimave duke shprehur vendosmërinë për të vazhduar luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm”, është shprehur Bushati.

Sot, ka vijuar shefi i diplomacisë shqiptare, “jemi dëshmitarë të një Europe që vuan në një botë zeropolare”. “Por kjo situatë nuk duhet të na përkulë e as të na detyrojë të bëjmë kompromis me vlerat dhe objektivat tona”, ka thënë Bushati.

Ndërkohë, Bushati ka shprehur edhe mbështetjen e Shqipërisë për rezolutën e miratuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së për popullësinë në Alepo të Sirisë.

“Shqipëria e mirëpret miratimin unanim nga Këshilli i Sigurimit të rezolutës për vëzhguesit në Alepo, aksesin për ndihmat humanitare, evakuimin e civilëve dhe mbrojtjen e spitaleve”, ka komentuar ministri i Jashtëm në rrjetin social Twitter.

Top Channel