Integrimi, Bushati pret ministrin gjerman. Roth: Vetting-u, proces kyç

19/12/2016 00:00

Gjermania mbetet partneri kryesor i Shqipërisë në rrugën e integrimit europian. Këtë e ka rikonfirmuar këtë të hënë ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, i cili priti në një takim ministrin gjerman të Shtetit, Michael Roth.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, Bushati ka theksuar se, qeveria shqiptare po vepron e sinkronizuar me Berlinin në rrugën e reformave që i hapin dyert e BE-së.

“Siç dihet, Gjermania ka një rol të posaçëm sa i përket procesit të integrimit dhe ne në këto 3 vjet jemi përpjekur për të koordinuar aksionin tonë dhe reformat që ndërmarrim me qeverinë gjermane”, ka thënë Bushati.

Ai ka garantuar kolegun gjerman se, “Shqipëria do zbatojë ligjin e Vetting-ut dhe do të vijojë kursin reformist sa i përket 5 prioriteteve kyçe, që kanë lidhje direkte me zhvillimet e brendshme të Shqipërisë”.

“Dera e integrimit për Shqipërinë mbetet e hapur, duhet të kalojmë vetting-un, që është një reformë që do ketë efekt spirale edhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit, por edhe në reformat e tjera”, ka vijuar Bushati.

Nga ana e tij, ministri gjerman ka shprehur vlerësimin e tij për sukseset e Shqipërisë në rrugën e integrimit. “Reforma në drejtësi është një ngjarje thelbësore dhe ligji i Vetting-ut është një sukses jo vetëm për Shqipërinë por për të gjitha vendet evropiane”, ka thënë Roth.

Sipas tij, “reformat e mëdha që janë ndërmarrë këto vite janë të qarta dhe po ecin në drejtimin e duhur”. “Këto suksese dhe progrese që ka bërë Shqipëria i shërbejnë qytetarëve të saj dhe nuk janë ndërmarrë për të kënaqur dikë që mund të jetë ulur në Berlin apo në Bruksel. Shpresoj që zhvillimi dhe konsolidimi i demokracisë, i luftës kundër korrupsionit dhe krimit, forcimi i shtetit ligjor të jenë në interes të të gjitha forcave politike”, ka thënë Roth.

Duke theksuar se, reformat e ndërmarra e sjellin Shqipërinë më afër BE-së, zyrtari gjerman ka shtuar se, procesi i zgjerimit të Unionit mbetet i hapur.

“Me gjithë krizat dhe problemet, procesi i zgjerimit të BE është ndër pikat kryesore të rendit të ditës në Bruksel dhe Berlin. Uroj që bisedimet të hapen sa më shpejt”, ka shtuar Roth.

Top Channel