Legalizimet, noterët kundër Qeverisë: Padi për pagesat

16/12/2016 00:00

Noterët kanë vendosur të hapin betejë gjyqësore kundër Këshillit të Ministrave përmes një padie që kundërshton një vendim të Qeverisë, i cili përcakton procedurat sesi kalohet e drejta e pronësisë mbi parcelat ndërtimore të objekteve informale.

Vendimi i Këshillit të Ministrave, që prej muajit qershor i ka nxjerrë nga skema noterët, të cilët këmbëngulin se regjistrimi i të drejtës se pronësisë duhet firmosur me kontrata para tyre.

“Nëse noteri është ai që vërteton vullnetin e palë dhe nëse noteri është ai që njeh zotësinë juridike për të vepruar, një punonjës i ALUIZNI-t nuk e di”, thotë nënkryetari i Dhomës së Noterisë, Fatmir Lacej.
 
Por kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame e konsideron në favor të qytetarëve vendimin e Këshillit të Ministrave numër 465, në vijim të premtimit të Qeverisë për legalizime falas.

“Është absurde që i gjithë procesi i legalizimeve është i gjithë falas dhe papritur një subjekt, gati parazitar, që janë në rastin konkret noterët, duhet të merrnin një shumë të konsiderueshme parashë. Ky ishte koncepti dhe heqja e këtij detyrimi mbi qytetarët”, thotë kreu i ALUIZNI-t.

Sipas Lames, ky VKM shmang edhe zvarritjen e qytetarëve.

“Në fund të kësaj historie, i thonë një fjale, i zoti e shet, tellalli nuk e jep. Unë si qytetar bie dakort me Qeverinë që do ta marr, tellalli që është noteri thotë që jo unë nuk ta jap”, thotë Lame.

Top Channel