Meta pret Ahmetin: Maqedonia të bëjë më shumë për të drejtat e shqiptarëve

15/12/2016 00:00

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, priti në takim kryetarin e partisë Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti. Pas këtij takimi, Meta deklaroi se më i rëndësishëm se rezultati i zgjedhjeve të mbajtura më 11 dhjetor është stabiliteti i Maqedonisë.

Gjithashtu, kryekuvendari theksoi se të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni duhet të shënojnë një progres shumë më të dukshëm e më të prekshëm, përmes një zbatimi sa më real e më konkret edhe të vetë Marrëveshjes së Ohrit.

“Për ne kryesore është që Maqedonia të ecë përpara në rrugën e stabilitetit, të zgjidhjes së çështjes së emrit dhe njëkohësisht përparimit të proceseve integruese, si anëtarësimi në NATO edhe në BE. Ajo që është jashtëzakonisht shumë e rëndësishme për ne, që të drejtat e shqiptarëve të shënojnë një progres shumë më të dukshëm e më të prekshëm, përmes një zbatimi sa më real dhe më konkret edhe të vetë Marrëveshjes së Ohrit”, tha Meta.

Kryetari i Kuvendit tha se mbështetja e Shqipërisë për Maqedoninë është “për procese stabilizuese, demokratizuese dhe evropianizuese si dhe kur bëhet fjalë për të drejtat e shqiptarëve, për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet faktorit shqiptar për të avancuar në të drejtat e tyre në kuadër të një Maqedonie më evropiane”.

Top Channel