Hetimi i hetimit të Balilit, prokurori amerikan tek Llalla

15/12/2016 00:00

Një ditë pasi ambasadori amerikan Donald Lu kritikoi institucionet shqiptare për mos arrestimin e Klemend Balilit, prokurori shqiptaro-amerikan Gjon Juncaj ishte në organin qendror të akuzës, në një takim kokë më kokë me prokurorin e përgjithshëm Adriatik Llalla.

Tema e bisedës nuk bëhet e ditur zyrtarisht, por në rrugë jozyrtare mësohet se është diskutuar për rrugën që ka ndjekur dosja e Balilit, të cilin drejtësia greke e konsideron si “Eskobari i Ballkanit”.

Një javë më parë, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi në mungesë masën “arrest me burg” për Balilin për trafik narkotikësh dhe grup të strukuruar kriminal, por megjithë kërkimet policore ende nuk ka të dhëna për vendstrehimin e tij.

Një ditë pas deklaratës së fortë të ambasadorit amerikan, ministri i Drejtësisë Ylli Manjani reagoi duke deklaruar se ligji shqiptar e përcakton qartë se kush arreston, kush ndalon dhe kush dënon, “ndaj askush nuk duhet të fshihet pas alibive”. Qëndrim të cilin ai e përforcoi në një intervistë telefonike për Top Channel.

TCH: Zoti Manjani, ju përmendni në reagimin tuaj se askush nuk duhet të fshihet pas alibive, për kë e keni fjalën?

Manjani: Në sistemin e ndjekjes penale në Shqipëri luhet shumë ping-pong, polici-prokurori, prokurori-gjykatë. Një ping-pong që nuk mund të vazhdojë pafundësisht. Ligji është shumë i qartë, çdo alibi për të futur në lojën ping-pongut Ministrinë e Drejtësisë është i papranueshëm.

TCH: Zoti Manjani, po thoni që policia dhe prokuroria po luajnë ping-pong për dosjen “Balili”?

Manjani: Kur të ketë rezultat kjo çështje dhe nëse rezultati nuk do jetë i pëlqyeshëm për opinionin publik; dhe nëse do të jetë ende kjo situatë legjislative ku ministri i Drejtësisë ka ende të drejtën e inspektimit, ju premtoj se do të inspektoj.

TCH: Por Ministria e Drejtësisë e mbajti dosjen për rreth një muaj

Manjani: Dosja nuk është mbajtur por është përkthyer. Janë aktivizuar 15 përkthyes të gjuhës greke për ta bërë në kohë rekord dhe është përkthyer në kohë rekord.

Por në ditën kur prokurori amerikan takoi kryeprokurorin shqiptar, ky reagim tregon se Ministria e Drejtësisë ka kërkuar të distancohet nga ky debat. Top Channel pati raportuar më herët gjatë dhjetorit për pakënaqësi të palës greke lidhur me vonesat në dorëzimin e dosjes në prokurori.

Top Channel