Konsultimet për mbetjet, Shalsi: Po përgatiten propozime

14/12/2016 00:00

Nismëtari i ndryshimeve ligjore që i hapin rrugë importit të mbetjeve, Eduard Shalsi nuk dha asnjë afat se kur do të shqyrtohet dekreti i presidentit për mbetjet.

“Ka disa kolegë që kërkojnë të vazhdojnë konsultimet me shoqërinë civile. Ka të tjerë që po bëjnë gati disa propozime dhe jemi të gatshëm, në momentin që do të jenë ata të gatshëm, për të biseduar. Nuk ka asnjë histori konspirative në këtë çështje”, tha Eduard Shalsi, kryetar i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese.

Por deputetja e Partisë Demokratike, Mimoza Hajdarmataj thotë se, kjo përgjigje është tregues i mungesës së seriozitetit, me të cilin ndryshimet kaluan herën e parë në Parlament.

“U soll në mes të korrikut, kaloi me shumë shpejtësi një çështje me rëndësi kombëtare. Kaloi me minimumin historik të votave, me 63 të tilla. Duket se keni mbetur vetëm në koalicion”, tha Mimoza Hajdarmataj, deputete e PD-së.

Presidenti Nishani e ktheu ligjin për rishqyrtim në muajin tetor, edhe me argumentin se miratimi i tij në Parlament ishte i përshpejtuar, në mungesë informacioni dhe transparence për qytetarët.

Top Channel