Carter, në Izrael për “dorëzimin” e avionëve luftarakë “F-35”

12/12/2016 00:00

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ashton Carter viziton Izraelin, që përgatitet të marrë këtë të hënë dy avionët e parë “F-35” të konsideruara të gjeneratës së re, të cilat do të forcojnë aspektin mbrojtës dhe sulmues të ushtrisë izraelite në rajonin e trazuar të Lindjes së Mesme.

Avionët “F-35” rezultojnë të jenë edhe një prej programeve me shpenzimet më të mëdha të armatimeve të Pentagonit, me një kosto të përllogaritur prej afro 400 miliarde dollarësh. Izraeli është mes atyre pak vendeve aleate që do të marrin avionë të tillë, dy të parët prej të cilëve më vonë gjatë ditës së sotme.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Avigdor Lieberman tha se avionët luftarakë “përfaqësojnë një tjetër përbërë në ruajtjen e superioritetit nga ajri në rajonin tonë” dhe shprehu mirënjohjen për Carterin, i cili u prit me një ceremoni nderimi ushtarake në bazën ajrore të Tel Avivit.

Zv.komandanti i bazës ajrore “Nevatim” të Forcave Ajrore, në jug të Izraelit, tha se avionët e rinj luftarakë do t’i japin Izraelit një avantazh kundrejt fqinjëve për vitet në vijim.

“Do të jemi tejet të fuqishëm për një kohë të gjatë, duke pasur këto avionë. Kjo, sepse Izraeli duhet të jetë i fuqishëm për të siguruar ekzistencën në këtë rajon”, tha kolonel Asaf, i cili për shkaqe rregullash ushtarake identifikohet vetëm me emrin e tij. “Është një mesazh për cilindo, se Izraeli do të vijojë të sigurojë teknologjinë më të fundit në këtë fushë”.

Blerja e “F-35”-ave do të lartësojë edhe më tej nivelin e Forcave Ajrore izraelite, shtoi më tej koloneli, i cili njoftoi edhe faktin që 4 pilotë izraelitë janë trajnuar për të drejtuar të tillë avionë, ndërsa një numri më të madh pilotësh do t’u tregohet sesi funksionon ky sistem luftarak.

“Ky lloj avioni specifik do të jetë tejet i mirë dhe i domosdoshëm për dekadat e ardhshme”, tha ai duke lavdëruar aftësitë e “F-35”-ave, përfshi këtu manovrimin dhe teknologjinë “high-tech” të tyre.

Gjatë viteve të fundit, Izraeli raportohet të ketë zhvilluar sulme ajrore me rreze të gjatë veprimi deri në Sudan, ndërsa besohet se ka goditur edhe dërgesat me armatime për Hezbollahun në Sirinë fqinje. Ndërkohë, në të kaluarën Izraeli ka lënë të kuptohet se po planifikonte të godiste Iranin, rreth 1.000 km distancë (625 milje), nëse Republika Islamike do të vijonte më tej me programin bërthamor të konsideruar të dyshimtë prej vendit hebre.

Top Channel